Arkitekti shkodran Zef Çuni, ish zëvendës ministër i kulturës ka komentuar ndryshimin e fundit në drejtorinë rajonale të kulturës në Shkodër.
Çuni thotë se emërimi i Petrit Bilalit si drejtor në vend të Helidon Sokolit bëhet drejtori i pestë në dy vite e gjysëm që ndryshohet.
Ajo që është një problem i madh deklaron arkitekti Çuni është shkatërrimi i trashëgimisë kulturore në Shkodër ku shumë objekte janë shembur.
Sot kjo drejtori nuk ka asnjë restautor thotë arkitekti Çuni nga 60 që kishte dikur.
Reagimi i Zef Çunit:
DITA KOMBËTARE E TRASHËGIMISË KULTURORE
Sot u bë një ndryshim në drejtimin e DRTK Shkodër. Skulptori Petrit Bilali zëvendësoi arkeologun Helidon Sokoli.
Në dy vjet e gjysmë, ky është drejtori i pestë që zëvendësohet. Megjithatë, kjo drejtori dhe monumentet në Shkodër ndodhen në gjendjen më të keqe që kanë pasur ndonjëherë.
Sot, kjo degë nuk ka më asnjë specialist restaurimi, ndërkohë që në fillim të viteve ’90 kishte mbi 60 të tillë.
Mjaft monumente janë rrënuar plotësisht. Ndërtimet pa leje në qendrën historike janë të pranishme, por nuk mungojnë as ato me leje të gabuara.
Në këtë Ditë të Trashëgimisë, si një kontribues i kësaj fushe prej 40 vitesh, do t’u sugjeroja institucioneve përgjegjëse ta shohin reformën në trashëgimi jo si ndryshim drejtorësh, që nuk ndryshojnë asgjë, por si një reformë konceptuale, ku përparësi të kenë specialistët e restaurimit dhe jo administrata.
Në një institucion ku ka më shumë punonjës administrate sesa punonjës restaurimi, gjendja e monumenteve nuk do të ketë përmirësim.

