Policia e Tiranës ka hapur një hetim lidhur me publikimin dhe shpërndarjen e videove intime në portale të ndryshme dhe platforma online. Rasti i është kaluar Prokurorisë, ndërkohë që hetues të Krimeve Kibernetike janë angazhuar për të zbuluar identitetin e personave të implikuar.
Në kryeqytet, njësitë e Krimit Kibernetik kanë ndërmarrë veprime hetimore menjëherë pas shfaqjes së materialeve intime në disa media online dhe platforma në internet.
Burime zyrtare bëjnë me dije se hetimi është fokusuar në identifikimin e autorëve të publikimit dhe shpërndarjes së këtyre materialeve, ndërsa paralelisht po ndërmerren hapa për largimin e tyre nga platformat digjitale.
Prokuroria ka marrë në shqyrtim materialet për hetime të mëtejshme, në lidhje me katër vepra penale, mes të cilave edhe “ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.

