Katër persona humbën jetën të enjten si pasojë e sulmeve ajrore dhe të shtënave të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, përfshirë një grua dhe një djalë 12-vjeçar, njoftuan shërbimet e shpëtimit në këtë territor palestinez të rrënuar nga lufta.
Izraeli dhe Hamasi kanë hedhur akuza të ndërsjella për shkeljen e armëpushimit të nisur më 10 tetor 2025, i cili pasoi dy vjet armiqësish të shkaktuara nga sulmi i paprecedentë i grupit islamist palestinez kundër territorit izraelit më 7 tetor 2023. Sipas Mbrojtjes Civile, një shërbim emergjence që operon në kuadër të Hamasit, “katër persona u vranë dhe të tjerë u plagosën në zonë”, i tha ky institucion AFP-së.
Organizata bëri të ditur se një 12-vjeçar u vra nga “zjarri i forcave izraelite” në lindje të kampit të refugjatëve Al-Bureij, në pjesën qendrore të Gazës.
Në një distancë prej disa kilometrash, afër komunës së Al-Zawaida, dy persona të tjerë humbën jetën për shkak të një sulmi ajror dhe një sulmi me dron të ushtrisë izraelite.
Ndërkohë, në jug të rajonit, një grua u vra nga forcat izraelite në zonën e Khan Yunis, sipas të njëjtit burim.
Spitalet kryesore të rajonit qendror dhe jugor, të cilat pranuan trupat e viktimave, konfirmuan këto humbje jete.
Forcat izraelite, në një përgjigje për AFP-në, bënë të ditur se kishin goditur militantët e Hamasit në Al-Zawaida, ndërsa deklaruan se po hetonin raportet për një të vrarë palestinez në Khan Younis.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë — institucion nën kontrollin e Hamasit, shifrat e së cilës konsiderohen të besueshme nga OKB-ja — që nga fillimi i armëpushimit janë vrarë mbi 1,550 palestinezë.
