Banorët e Boriçit të Vogël, në Malësinë e Madhe, denoncojnë mungesën e furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm dhe cilësinë e dobët të tij. Sipas tyre, prej kohësh përballen me këtë problematikë, ndërsa furnizimi me ujë bëhet vetëm një herë në 3-4 ditë.
Përveç ndërprerjeve të shpeshta, banorët ngrenë shqetësimin edhe për ndotjen e ujit që mbërrin në çezmat e tyre. Ata thonë se uji nuk është i përdorshëm për konsum dhe, për këtë arsye, detyrohen të blejnë ujë të pijshëm për nevojat e përditshme.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën, sipas banorëve, është fakti se pavarësisht shërbimit të munguar dhe problematik, faturat e ujit i paguajnë rregullisht.
Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të zgjidhur problemin dhe për të garantuar furnizim të vazhdueshëm me ujë të pijshëm, si dhe kontrollin e cilësisë së tij.

