Protesta kombëtare e 7 nëntorit në Tiranë ka qenë në qendër të një takimi të zhvilluar nga kreu i Partisë Demokratike në Shkodër, Ardit Çylybyli, me anëtarët e Kryesisë dhe drejtuesit e grupseksioneve të partisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Çylybyli ka bërë të ditur se diskutimet janë përqendruar te organizimi dhe koordinimi i strukturave demokrate, me synim mobilizimin e qytetarëve për tubimin që do të mbahet në orën 12:00, përpara Kryeministrisë.
Protestuesit pritet të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Në mesazhin e tij, Çylybyli ka përcjellë një thirrje për pjesëmarrje masive në protestë, duke u shprehur: “Të gjithë në Tiranë”. Ai ka shprehur gjithashtu mbështetjen për studentët.

