Dëshmitarja rrëfen incidentin me Osman Stafën: Më morën telefonin me forcë dhe më fshinë pamjet filmike

Gazetari i News24, Osman Stafa, deklaroi se është përballur me kërcënime dhe intimidime nga efektivë të Policisë së Shtetit teksa po filmonte një aksion të policisë ndaj një qytetareje pranë zonës së Piramidës në Tiranë.

Sipas Stafës, ngjarja nisi kur një nga oficerët e policisë iu afrua dhe e pyeti arsyen se përse po kryente filmime. Gazetari theksoi se në cilësinë e tij si përfaqësues i medias, ka të drejtë të dokumentojë veprimet e policisë në ambiente publike. Ai pohon se polici në fjalë e kërcënoi se do ta shoqëronte në komisariat, duke pretenduar se nuk lejohej të filmonte një efektiv policie.

Stafa rrëfen se në momentin që ndezi edhe një herë telefonin për të regjistruar situatën dhe për të kërkuar shpjegime për kërcënimet, u rrethua nga disa persona të veshur civilë. Edhe pse këta persona e identifikuan dhe e thirrën me emër, ata i kërkuan gjithashtu kartën e identitetit për median.

Më tej, siç tregon gazetari, disa prej tyre e kapën nga krahët, i vunë duart pas shpine dhe i sekuestruan telefonin, duke ndërprerë regjistrimin. Stafa thotë se katër apo pesë individë tentuan ta ulën në tokë dhe e mbajtën të ndaluar për mbi 10 minuta, duke e paralajmëruar disa herë se do ta shoqëronin në komisariat dhe se ekzistonte mundësia të kalonte natën në qeli.

Gazetari Stafa intervistoi gjithashtu një dëshmitare të ngjarjes, e cila konfirmoi versionin e tij dhe tregoi përjetimet personale. Dëshmitarja pohoi se është trajtuar në mënyrë të dhunshme nga ana e policisë. Ajo shtoi se në momentin kur përpiqej të filmonte me telefon, personat civilë e larguan dhe e detyruan të fshinte videon që kishte regjistruar.

Dëshmitarja: Unë isha dëshmitare e asaj që ndodhi, isha 30 metra larg ngjarjes.

Isha vetëm, po filmoja arrestimin e Agronit që mban flamurin. Aty më rrethuan disa civilë, më thanë që duam kartën e identitetit, ua dhashë dhe më thanë se do më shoqëronin, sepse po filmoja civilë. Gjatë shoqërimit, ndaluam aty ku ishit edhe ju (i drejtohet gazetarit Osman Stafa). Pashë Osmanin që e kishin kapur për të njëjtën arsye si dhe mua, sepse po filmonte.

Ata e dinin se kush ishte Osmani, e thërrisnin në emër, ndërkohë që dhe Osmani po thoshte se unë jam media e kjo është puna ime. Ia morën telefonin në mënyrë tepër të dhunshme. Osmanin e kapën nga të dyja krahët në mënyrë prapë të dhunshme. Unë tentova që të hap telefonin dhe ta filmoj e më distancuan dhe më bënë që të fshija dhe videon që kisha bërë e më larguan nga aty.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe