Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike, ka reaguar për herë të parë lidhur me humbjet e republikanëve në Kongresin dhe Senatin e SHBA, duke ofruar analizën e tij për arsyet që, sipas tij, ndikuan në rezultatin zgjedhor.
I ftuar në emisionin “Now” të Erla Mëhillit, Berisha tha se ndryshimi në votën amerikane është kryesisht pasojë e rritjes së çmimeve, një fenomen që ai e lidh me tarifat tregtare dhe përplasjen me Iranin, veçanërisht me përdorimin e Ngushticës së Hormuzit si mjet presioni strategjik.
“Populli amerikan, fatlum që zhvillon zgjedhje të lira dhe të ndershme, votoi për kandidatët që ai konsideron dhe politikat që i konsideron më të mira”, u shpreh Berisha.
Duke vijuar analizën, ai theksoi se ndikimi ekonomik nga këta faktorë ka qenë vendimtar për vendimin e qytetarëve të SHBA.
“Shkaku themelor i këtij ndryshimi të madh ka qenë rritja e çmimeve nga dy faktorë kryesorë.Faktori tarifë dhe faktori Hormuz. Lufta me Iranin dhe përdorimi nga Irani si armë strategjike i Ngushticës së Hormuzit. Pra, të dy këta faktorë janë shoqëruar me rritje çmimesh reale në Shtetet e Bashkuara”, deklaroi kreu i PD-së.
Kur u pyet nëse balancat e reja politike në Kongres dhe Senat do të sillnin ndryshim në raportet e tij me administratën amerikane, Berisha theksoi se nuk pret asnjë zhvillim të tillë.
Ai solli ndërmend edhe qëndrimet e kryeministrit Edi Rama për demokratët amerikanë dhe Donald Trump në këtë kontekst.
“Asgjë nuk ndryshon në raportin tim me këtë administratë. Duhet t’i druhet pak Edi Rama, që vetëm tre javë më parë deklaroi demokratët dhe Bidenin tradhtarë të Hashim Thaçit, dhe vetëm dy javë më parë u çoi atyre mesazhin se ‘nuk e mundni dot Donald Trumpin me vota dhe kërkoni ta mundni me Zvërnecin’. Kështu që Sali Berisha është konstant”, tha ai.
Berisha u ndal edhe te marrëdhëniet me ambasadën amerikane në Tiranë, si dhe mospraninë në ceremoninë e mirëseardhjes së ambasadorit të ri. Sipas tij, ai nuk ka qenë i pranishëm në shumicën dërrmuese të pritjeve të ambasadorëve të SHBA në Shqipëri.
“Në pritjen e ardhjes së tij, të mirëseardhjes së tij, kam qenë vetëm njëherë tek një ambasador. Vetëm në një rast! Në shtatë raste apo tetë raste s’kam qenë”, deklaroi Berisha.
Sa i takon kontakteve me ambasadën amerikane, ai sqaroi se Partia Demokratike vijon të mbajë derën e hapur për komunikim, duke theksuar se përfaqësuesit e saj paraqesin vazhdimisht qëndrimin e forcës politike mbi zhvillimet në vend.

