Presidenti i Paraguait, Santiago Peña, ka njoftuar dorëheqjen nga posti, pas një krize të thellë politike që u përshkallëzua me kolapsin e Ueno Bank, një bankë me të cilën ai kishte lidhje të drejtpërdrejta.
Përmes një videomesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, Peña u kërkoi ndjesë qytetarëve, duke theksuar se nuk ka patur kurrë synim të abuzojë me besimin e tyre.
“Dua t’u kërkoj falje njerëzve nëse në ndonjë moment kam dështuar. Nuk ka qenë kurrë qëllimi im të tradhtoja besimin që më keni dhënë”, u shpreh ai.
Kjo krizë shpërtheu pasi Ueno Bank shpalli paaftësinë për të shlyer detyrimet dhe pezulloi të gjitha operacionet bankare. Ngjarja shkaktoi tronditje në arenën politike, me ligjvënës që akuzuan presidentin për përfshirje në konflikt interesi dhe shkelje të detyrës shtetërore. Peña kishte mbajtur aksione në kompaninë që zotëronte bankën deri një vit më parë.
Pavarësisht mohimeve të tij për çdo shkelje, presioni politik ndaj presidentit u shtua ndjeshëm kur Dhoma e Ulët e Kongresit votoi për fillimin e procedurave të hetimit dhe mundësinë e gjykimit parlamentar për shkarkimin e tij.
Në deklaratën e tij, Peña sqaroi se dorëheqja synon të mbrojë paqen sociale, institucionet demokratike dhe stabilitetin në vend.
Rënia e bankës ka lënë pasoja të mëdha, duke prekur një pjesë të madhe të popullsisë. Ueno Bank kishte rreth 3 milionë klientë, që i korrespondon rreth 60% të popullsisë së rritur në Paraguai. Institucioni administronte gjithashtu pensione dhe fonde të tjera publike, ndërkohë që kolapsi la miliona persona pa qasje në llogaritë e tyre.
Banka Qendrore e Paraguait ndërhyri duke vendosur nën administrim të përkohshëm huadhënësin digjital, ndërsa mijëra banorë dolën në rrugë për të protestuar dhe për të kërkuar largimin e presidentit.
Po ashtu, një udhëheqës i ri është emëruar në krye të Bankës Qendrore, ndërkohë që Kongresi ka miratuar procedura për kompensimin e qytetarëve që kanë humbur qasje në fondet e tyre.
Santiago Peña ishte zgjedhur president në vitin 2023 nën siglën e Partisë Konservatore Colorado, që vazhdon të dominojë pushtetin në Paraguai. Ai fitoi kundër një kandidati të qendrës së majtë në zgjedhjet presidenciale.
