Një rast i rëndë kriminal ka tronditur qytetin e Romës, ku një grua 71-vjeçare është zbuluar pa jetë brenda një dollapi në shtëpinë e saj.
Policia italiane ka arrestuar të birin e saj, 51 vjeç, i cili akuzohet si autor i vrasjes pas një grindjeje familjare.
Raportimet e mediave italiane tregojnë se të afërmit e viktimës kishin humbur lidhjet me të dhe vunë në dijeni autoritetet, të alarmuar edhe nga përplasjet e vazhdueshme midis nënës dhe djalit. Dyshohet se 51-vjeçari i kërkonte rregullisht para për të blerë lëndë narkotike.
Karabinierët, pasi mbërritën në apartamentin e ndodhur në katin e 14-të, gjetën trupin e gruas të fshehur brenda një dollapi. Viktima kishte një qese të cilën dikush ia kishte mbështjellë rreth kokës, si dhe dëmtime të dukshme në fytyrë.
Fillimisht, djali dha një rrëfim tjetër për ngjarjen. Ai pohoi se kishte futur trupin e së ëmës në dollap një natë më parë, duke pretenduar se ajo ishte rrëzuar dhe kishte lënduar kokën.
Por hetuesit nuk u bindën nga ky version. Pas marrjes në pyetje dhe hetimeve paraprake, autoritetet ndaluan dhe më pas arrestuan 51-vjeçarin, i cili tashmë është nën akuzë për vrasjen e nënës së tij.
Hetimet janë ende në vijim për të sqaruar plotësisht zhvillimet, rrethanat dhe motivet që çuan në këtë krim.

