Ish-drejtori i Policisë Bashkiake në Shkodër, Anton Hasanpapaj, ka reaguar publikisht pas incidentit në Kotorr të Malit të Zi, ku disa nxënës shqiptarë u ndaluan nga autoritetet vendase pas një përplasjeje të nisur gjatë gjestit të shqiponjës me duar. Mes të rinjve të shoqëruar ishte edhe djali i tij.
Në reagimin e tij, Hasanpapaj ka rrëfyer shqetësimin dhe pasigurinë që kanë përjetuar familjet gjatë orëve të ndalimit të nxënësve. Ai ka shprehur mirënjohje për mësuesit, ambasadoren shqiptare dhe autoritetet malazeze, të cilat u angazhuan për zbardhjen e situatës.
Sipas informacionit që i është përcjellë familjes, gruaja malazeze e përfshirë në incident është arrestuar, ndërsa rasti po ndiqet nëpërmjet kanaleve zyrtare.
Por, për Hasanpapajn, shqetësimi nuk lidhet vetëm me atë që përjetoi si prind. Ai ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si një konflikt përfundoi me ndalimin e disa të miturve dhe ndërhyrjen e institucioneve diplomatike.
Ish-zyrtari shkodran e cilëson të papranueshme një situatë të tillë në Malin e Zi, një vend që synon integrimin në Bashkimin Europian, duke kërkuar më shumë përgjegjësi dhe kujdes nga institucionet, sidomos kur bëhet fjalë për të mitur.
Ai thekson se frika dhe ankthi i përjetuar nga nxënësit dhe familjarët nuk duhet të kalojnë pa reflektim, në mënyrë që episode të tilla të mos përsëriten.
