Davor Macura, pronari i Alta Bankës në Serbi, është arrestuar mbi dyshimet se ka tërhequr ilegalisht rreth 45 miliardë dinarë, afërsisht 380 milionë euro, nga kasaforta e institucionit financiar që ai drejtonte.
Më 2 nëntor, Prokuroria për Krim të Organizuar e Serbisë njoftoi se bashkë me Macurën janë ndaluar edhe dy drejtues të tjerë të lartë të bankës: drejtori i sektorit të parave të gatshme, G.M., si dhe një tjetër zyrtar i po këtij departamenti, I.P.
Sipas njoftimit nga Prokuroria, Macura akuzohet për shpërdorim detyre, duke tërhequr para nga banka me bashkëpunimin e dy zyrtarëve të lartë të institucionit.
Të tre të dyshuarit dyshohet se kanë përdorur kartelat e tyre të hyrjes në kasafortë ose kanë lejuar Macurën të hyjë duke e shoqëruar personalisht, edhe pse ai nuk kishte autorizimin e nevojshëm për të hyrë atje.
Më 31 tetor dhe 1 nëntor, prokuroria tha se janë zhvilluar kontrolle në ambientet e Alta Bankës si dhe në banesën e Macurës.
Gjatë bastisjeve u krye edhe inventarizimi i shumës së parave të gatshme që ndodhej në kasafortën e bankës.
Tre të ndaluarit janë arrestuar për 48 orë dhe pritet të pyeten nga Prokuroria për Krim të Organizuar.
Avokati i Macurës, Isa Spahoviq, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se klientit të tij tashmë i është dorëzuar vendimi për ndalim.
“Nesër ai do të dalë para Prokurorisë, e cila do t’ia paraqesë hollësitë e rastit, përfshirë veprën penale për të cilën dyshohet, dhe do t’i kërkojë të deklarohet lidhur me akuzat. Ai ka të drejtë të deklarohet dhe mbetet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë”, tha Spahoviq.
Arrestimi i Macurës ndodhi vetëm pak ditë pasi Banka Qendrore e Serbisë i hoqi Alta Bankës licencën për ushtrimin e aktivitetit bankar, pas përkeqësimit të situatës financiare të bankës.
Kush është Davor Macura?
Macura, një biznesmen serb, filloi karrierën në vitin 2008 me një këmbimore valutore në Beograd, duke zgjeruar më pas aktivitetin në sektorin bankar, financa, pasuri të paluajtshme dhe tregti.
Në tetor, ai u bë pjesë e vëmendjes publike sërish, pasi kongresisti republikan amerikan Joe Wilson i kërkoi sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, të vendoste sanksione ndaj tij dhe tre biznesmenëve të tjerë serbë, të cilët u cilësuan si të lidhur ngushtë me presidentin Aleksandar Vuçiq.
Në një letër të datës 14 tetor, Wilson ngriti akuza për përfshirje të Alta Bankës në pastrim parash dhe kërkoi ndalimin e hyrjes së Macurës në Shtetet e Bashkuara, si dhe bllokimin e përdorimit të sistemit financiar amerikan për të.
Alta Banka kishte kundërshtuar këto akuza përmes një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, duke i quajtur të pavërteta dhe të pabazuara.
Macura nuk ishte nën sanksione amerikane në kohën kur kjo kërkesë u bë publike.
Ndërkohë, nuk ekzistojnë të dhëna që të tregojnë një lidhje mes arrestimit të tij dhe kërkesës së mëhershme për sanksione ndaj tij./ REL

