Policia në Korçë ka arrestuar një 21-vjeçar, i cili u kap duke transportuar gjashtë emigrantë të paligjshëm dhe tentoi të arratisej në momentin që u zbulua nga efektivët.
Burime nga policia bëjnë të ditur se i riu, S.D., banor i fshatit Libonik në Maliq, kishte nisur udhëtimin nga periferia e Korçës drejt Tiranës me një automjet të tipit “Golf”, ku ndodheshin edhe gjashtë emigrantët klandestinë.
Kur u vu re nga uniformat blu, 21-vjeçari e la automjetin dhe tentoi të largohej në këmbë, por u ndalua dhe u vu në pranga pas një ndjekjeje të shkurtër nga policia.
Hetimet e para tregojnë se i riu dyshohet të ketë marrë pagesa për të ndihmuar emigrantët që të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rastin, ndërkohë që kontrollet janë intensifikuar për të identifikuar dhe kapur persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të jashtëligjshëm.

