Një përplasje me disa militantë të Partisë Demokratike gjatë protestës në Tiranë e vendosi Dolores Krajën në qendër të vëmendjes. Gjatë debatit në shesh, ajo u shpreh se “Rama është më i mirë se Berisha”, ndërsa u kërkonte demokratëve të mos ndërhynin në protestën e studentëve. Kjo deklaratë u shpërnda gjerësisht dhe u shoqërua me etiketime të ndryshme politike, nga mbështetëse e marksizmit deri te përkrahëse e partisë së Arlind Qorrit.
Por, për të kuptuar se kush është Dolores Kraja dhe çfarë e shtyn të dalë në protestë, duhet shkuar përtej debatit të zhvilluar në rrugë. Pas saj qëndron një histori familjare e lidhur ngushtë me persekutimin komunist dhe me një të kaluar që duket se ka ndikuar edhe në qëndrimet e saj të sotme.
Me origjinë nga Shkodra, Dolores jeton prej afro tri dekadash në Gjermani. Megjithatë, sa herë në Shqipëri zhvillohen protesta kundër qeverisjes dhe klasës politike, ajo rikthehet për t’u bërë pjesë e tyre. Qëndrimi i saj, të paktën sipas asaj që përcjell publikisht, nuk lidhet me mbështetjen për një forcë të caktuar politike, por me kundërshtimin e një sistemi që, sipas saj, nuk ka sjellë ndryshimin e pritur.
Dolores është vajza e Ernesto Krajës, një ish-i burgosur politik që kaloi vite të tëra në burgjet e regjimit komunist. Edhe emri i saj lidhet me historinë e vuajtjeve të të atit. Në intervista të mëparshme, ajo ka treguar se Ernesto e zgjodhi emrin Dolores si një kujtim të dhimbjes dhe persekutimit që kishte përjetuar. Ajo erdhi në jetë në një periudhë kur i ati kishte kaluar tashmë përvojën e parë të burgjeve politike.
Ernesto Kraja, i lindur në Shkodër në vitin 1925, u dënua disa herë nga drejtësia e diktaturës. Më 29 dhjetor 1952, Gjykata Ushtarake e Tiranës, me vendimin nr. 543, e shpalli fajtor për tentativë arratisjeje dhe e dënoi me 10 vite burg.
Më 21 mars 1978, Gjykata e Shkodrës, me vendimin nr. 77, e dënoi sërish me 11 vite burg për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, duke i hequr edhe të drejtën elektorale për pesë vite. Një vit më pas, më 21 mars 1979, Gjykata e Lartë i dha një tjetër dënim prej 20 vitesh burg, për pjesëmarrje në një organizatë të cilësuar nga regjimi si kundërrevolucionare dhe nacionaliste, si dhe për agjitacion e propagandë.
Një nga kapitujt më të rëndë të kësaj historie lidhet me operacionin e Sigurimit të Shtetit në burgun e Spaçit, në fillim të vitit 1979. Regjimi kishte ndërmarrë një proces të ri goditjeje ndaj të burgosurve politikë, të cilët i konsideronte kundërshtarë të rrezikshëm. Ky proces lidhet me emrat e Xhelal Koprenckës, Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhës, të cilët u ekzekutuan pas dënimit.
Rreth 50 të burgosur u përfshinë në listën e personave që regjimi synonte të godiste. Mes tyre ishte edhe Ernesto Kraja, i akuzuar si pjesëtar i një organizate politike që, sipas Sigurimit të Shtetit, ishte krijuar brenda burgut.
Nga vitet e kaluara në burgje, Ernesto la pas dorëshkrime, kujtime dhe dëshmi për torturat e dhunën e përjetuar gjatë hetuesisë. Këto materiale ruhen dhe përcillen nga e bija, e cila ka vijuar të mbajë gjallë kujtesën për atë që i kishte ndodhur familjes së saj. Në rrëfimet e të atit përshkruhen tortura të rënda, të cilat, sipas dëshmive të tij, e kishin çuar deri në dy tentativa për t’i dhënë fund jetës.
Pas rënies së komunizmit, Ernesto Kraja u bë një prej themeluesve të Partisë Demokratike. Një zhvillim që e bën edhe më domethënëse qëndrimin e sotëm të vajzës së tij: Dolores, e bija e një prej njerëzve që kontribuuan në krijimin e PD-së, sot del në protestë edhe kundër kësaj force politike dhe drejtuesve të saj.
Ajo nuk e kufizon revoltën vetëm te qeveria e Edi Ramës, por e shtrin kritikën edhe ndaj Sali Berishës dhe politikës që ka dominuar vendin përgjatë tri dekadave të fundit. Për këtë arsye, deklarata e saj gjatë përplasjes me demokratët nuk duhet parë domosdoshmërisht si një mbështetje politike për kryeministrin, por në kontekstin e kundërshtimit që ajo shpreh ndaj të dy kampeve.
Për Dolores Krajën, historia e të atit duket se nuk është thjesht një kujtim i së kaluarës. Ajo e lidh përvojën e familjes me nevojën për një Shqipëri ku drejtësia, liria dhe demokracia të mos mbeten vetëm premtime
