Trafiku në qytet po kthehet çdo ditë e më shumë në një problem shqetësues për banorët dhe drejtuesit e automjeteve, ndërsa situata rëndohet ndjeshëm gjatë fundjavës.
Në akset kryesore të Shkodrës krijohen radhë të gjata automjetesh dhe pritje prej disa minutash, veçanërisht gjatë orareve me fluks të lartë. Temperaturat e larta e bëjnë edhe më të vështirë situatën për qytetarët që mbeten të bllokuar në trafik.
Por përtej shqetësimit të përditshëm, problematika merr një tjetër përmasë kur bëhet fjalë për shërbimin e urgjencës. Trafiku i rënduar mund të pengojë lëvizjen e ambulancave dhe të rrezikojë mbërritjen në kohë pranë pacientëve që kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme.
Qytetarët kërkojnë masa konkrete për menaxhimin e trafikut, veçanërisht në ditët e fundjavës, kur fluksi i automjeteve rritet ndjeshëm.
Situata ngre pikëpyetje edhe për mënyrën se si po menaxhohet qarkullimi në qytet dhe nëse masat aktuale janë të mjaftueshme për të garantuar lëvizjen normale të automjeteve, por mbi të gjitha kalimin pa vonesa të mjeteve të emergjencës.

