Gjatë diskutimeve për ndryshimet e propozuara në ligjin për peshkimin, deputeti Kliti Hoti ka ngritur shqetësimin për pasojat që rregullat e reja mund të kenë te peshkatarët e vegjël, veçanërisht në zonën e Velipojës.
Hoti ka argumentuar se vendosja e detyrimeve të reja duhet të shoqërohet me infrastrukturën dhe kushtet e nevojshme për zbatimin e tyre. Sipas tij, aktiviteti i një peshkatari të vogël nuk mund të vendoset në të njëjtën kategori me atë të një flote të madhe.
“Peshkatari i vogël nuk mund të trajtohet njësoj si një flotë e madhe apo si një subjekt që ka kapacitete krejt të tjera”, u shpreh Hoti.
Deputeti kërkoi që gjatë hartimit të kuadrit të ri ligjor të merret në konsideratë edhe peshkimi artizanal, të cilin e cilësoi si një traditë të hershme në zonat e Shkodrës dhe një burim të ardhurash për shumë familje.
Sipas tij, rregullat duhet të jenë të qarta dhe të zbatueshme në praktikë, duke shmangur masa që mund t’i detyrojnë peshkatarët e vegjël të largohen nga aktiviteti.
“Ajo që kërkohet është e thjeshtë: rregulla që mund të zbatohen dhe një trajtim që nuk e nxjerr peshkatarin e vogël jashtë aktivitetit”, tha Hoti.

