Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimi mbi vrasjen e 55-vjeçarit shqiptar Mikel Rroku në Torino, Itali. Dyshohet se bashkëshortja e tij, së bashku me partnerin e ri, kanë organizuar dhe kryer vrasjen, të nxitur nga dëshira për t’u shkëputur prej tij e për të vazhduar lidhjen e tyre, si dhe për interesat mbi banesën sociale ku banonte viktima.
Dy personat e dyshuar, një grua 45-vjeçare dhe një burrë 52-vjeçar, u arrestuan në orët e para të mëngjesit të 6 tetorit nga Karabinierët e Komandës Provinciale të Torinos. Ata akuzohen për vrasjen e Rrokut dhe aktualisht mbahen në burg në kuadër të masës së sigurisë të vendosur ndaj tyre.
Hetimet kanë treguar se planet për eliminimin e 55-vjeçarit kanë nisur që në muajin maj. Sipas hetuesve, çifti kishte shqyrtuar disa mënyra për të kryer krimin, përfshirë helmimin dhe përdorimin e thikës, përpara se të vendosnin për metodën përfundimtare të ekzekutimit.
Sipas hetimit, krimi dyshohet të ketë ndodhur më 30 qershor, brenda apartamentit të Rrokut në rrugën Verolengo, në zonën Lucento të Torinos. Rroku, sipas rindërtimit të ngjarjes, është sulmuar nga pas dhe është goditur disa herë, edhe pasi kishte rënë në tokë. Ekspertiza mjeko-ligjore konstatoi dëmtime të rënda në kokë të shkaktuara nga një mjet i fortë.
Trupi i viktimës u zbulua më 6 korrik, gjashtë ditë pasi mendohet të jetë vrarë. Ai u gjet i dekompozuar në banesën e tij, në katin e dytë të një pallati social. Alarmimi i autoriteteve erdhi pas denoncimit të fqinjëve, të cilët kishin ndjerë erë të rëndë që vinte nga apartamenti.
Fillimisht, shkaqet e vdekjes ishin të paqarta, por dëmtimet e rënda në kokë orientuan hetimin drejt pistës së vrasjes. Dosja iu caktua Njësisë Hetimore të Karabinierëve të Torinos, në koordinim me Prokurorinë e Torinos.
Një aspekt tjetër që ka rënduar dyshimet ndaj çiftit është sjellja e tyre pas krimit. Hetuesit zbuluan se ata kishin bërë kërkime lidhur me mundësinë e largimit nga Italia dhe emigrimit drejt shteteve të Amerikës së Veriut, duke përfshirë vende të cilat nuk kanë marrëveshje ekstradimi me Italinë.
Për autoritetet, këto veprime sugjerojnë se të dyshuarit kishin menduar mundësinë e arratisjes pas vrasjes. Hetimet vijojnë me qëllim përcaktimin e plotë të rolit të gruas dhe partnerit të saj në planifikimin dhe ekzekutimin e krimit ndaj Mikel Rrokut.

