22 mijë tifozë në Beograd, thirrje anti-shqiptare dhe flamuri kuqezi në ring/ Buzukja rikthehet në Shkodër mes brohorimave

Publikuar me datë:

Një atmosferë e tensionuar shoqëroi paraqitjen e sportistit shkodran Dennis Buzukja në eventin e UFC-së të zhvilluar në Beograd.

Përballë rreth 22 mijë spektatorëve, Buzukja zbriti në arenë për duelin ndaj serbit Bogdan Grad, ndërsa nga tribunat u dëgjuan thirrje fyese dhe slogane anti-shqiptare. Sipas raportimeve nga eventi, mes tyre ishin edhe thirrje si “Vrisni shqiptarët” dhe “Kosova është Serbi”.

Përgjigjja e shkodranit nuk ishte me fjalë. Ai u shfaq në arenë me flamurin kuqezi mbi supe, duke zgjedhur ta përfaqësonte identitetin e tij shqiptar në një prej momenteve më të tensionuara të mbrëmjes.

Pas përballjes, Buzukja reagoi në rrjetet sociale, duke rrëfyer emocionet që përjetoi teksa mbante flamurin shqiptar përpara mijëra tifozëve.

Ai theksoi se, megjithëse ka lindur dhe është rritur në SHBA, lidhja me origjinën, kulturën dhe traditat shqiptare mbetet e fortë.

Sportisti tha se zgjodhi të hynte në arenë me flamurin kuqezi dhe me një qëndrim të qetë, si një mënyrë për të treguar krenarinë dhe respektin për kulturën shqiptare.

Edhe ndaj atyre që e kundërshtuan, Buzukja zgjodhi një mesazh paqësor, duke iu referuar besimit të tij dhe duke deklaruar se nuk do t’i përgjigjej urrejtjes me urrejtje.

Në fund, ai falënderoi të gjithë shqiptarët dhe mbështetësit që i qëndruan pranë.

Kthimi në Shkodër, Buzukja pritet me brohorima në Gjuhadol

Pas përballjes në Beograd, Dennis Buzukja u rikthye në Shkodër, por këtë herë atmosfera ishte krejtësisht tjetër.

Në Gjuhadol, qytetarë dhe mbështetës dolën për ta pritur me brohorima e përshëndetje, duke i shprehur mirënjohjen për mënyrën se si mbajti flamurin shqiptar në arenën e Beogradit.

Edhe pse rezultati sportiv nuk ishte në favor të tij, pritja në Shkodër tregoi se për shumë prej mbështetësve, rëndësi kishte edhe mënyra se si ai u përfaqësua jashtë ringut.

Nga Beogradi me flamurin kuqezi mbi supe, në Gjuhadol mes brohorimave të shkodranëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related