Zjarret në Has e Tropojë, autoritetet i kërkojnë qytetarëve të tregojnë kujdes

Publikuar me datë:

Gjatë 48 orëve të fundit, katër vatra zjarri janë neutralizuar në zonat e Hasit dhe Tropojës, falë reagimit të shpejtë të shërbimit zjarrfikës, institucioneve përgjegjëse dhe angazhimit të komunitetit lokal.

Drejtoria e Emergjencave Civile bën me dije se në Has, zjarret shpërthyen në pyjet dhe kullotat e fshatit Perollaj, që ndodhet në Njësinë Administrative Golaj, si dhe në fshatin Cahan, pjesë e Njësisë Administrative Krumë.

Po ashtu, në Tropojë, flakët u përhapën në fshatin Dushaj, që i përket Njësisë Administrative Fierzë, dhe në zonën e Sopotit, në Njësinë Administrative Tropojë e Vjetër.

Terreni i thepisur dhe malor vështirësoi ndërhyrjen, por ekipet në vendngjarje arritën të kufizojnë përhapjen e zjarreve, duke parandaluar zhvillimin e tyre në përmasa më të mëdha.

Zjarret kanë përfshirë kryesisht shkurre dhe mbeturina, ndërkohë që sipërfaqet pyjore dhe bimësia kanë mbetur të paprekura nga dëme të raportuara.

Reagimi i shpejtë i strukturave të emergjencës ka qenë vendimtar për parandalimin e zgjerimit të zjarreve dhe ruajtjen e sigurisë në zonat përreth.

Duke pasur parasysh temperaturat e larta dhe rrezikun në rritje të zjarreve, Bashkitë Has dhe Tropojë u kërkojnë banorëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin çdo veprim që mund të sjellë ndezje të reja.

Ndërkohë, zjarrfikësit e Bashkisë Kukës janë bashkuar me ekipet ekzistuese që po punojnë për të përballuar vatrën e zjarrit në Lurë. Shërbimi Zjarrfikës ka organizuar transportin e ujit drejt zonave të prekura, duke ofruar mbështetje të rëndësishme në luftën me flakët në një terren të vështirë malor.

Gjithashtu, operacionit në Lurë i janë shtuar mjete dhe kapacitete të tjera, me synimin që ndërhyrja të jetë sa më efektive dhe të parandalohet përhapja e mëtejshme e zjarrit në territore të tjera.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related