Bardh Spahija ka reaguar me tone të ashpra ndaj deklaratës se 400 shtetas të huaj kanë “zgjedhur” QSUT-në për t’u trajtuar, duke e cilësuar këtë si një tjetër shembull të propagandës së qeverisë për shëndetësinë.
Sipas Spahisë, fakti që disa pacientë të huaj kanë marrë trajtim në spitalet shqiptare nuk mund të përdoret automatikisht si dëshmi e “besimit te shëndetësia shqiptare”.
Ai ironizon situatën në QSUT, duke thënë se shqiptarët përballen çdo ditë me mungesa të ilaçeve, pajisjeve dhe materialeve mjekësore, ndërsa mjekët punojnë në kushte të vështira.
“E pra zonja ministre, mbase këta ‘400 të huaj’ nuk kanë ardhur vetëm për t’u kuruar, por edhe për të provuar adrenalinën e gjetjes së një shiringe, një vigoni, një ilaçi, një proteze apo një pako pambuku në mes të natës”, shkruan Spahija.
Ai ngre gjithashtu akuza për mungesë pajisjesh dhe kritikon mënyrën se si qeveria paraqet situatën e sistemit shëndetësor.
“Është vërtet tragjikomike të dëgjosh fjalime pompoze për ‘besim’ dhe ‘sukses’ nga zyrtarët qeveritarë, kur qytetari i thjeshtë shqiptar e di shumë mirë realitetin e hidhur”, shprehet ai.
Në reagimin e tij, Spahija pretendon se pacientët shqiptarë shpesh detyrohen të blejnë me paratë e tyre ilaçe dhe materiale të nevojshme për trajtim apo ndërhyrje kirurgjikale.
Në fund, ai e mbyll reagimin me ironi ndaj deklaratës së ministres: “Të paktën, me këtë deklaratë, zonja ministre na vërtetoi një gjë: teksa në spitalet tona mungojnë ilaçet dhe pajisjet, të paktën fantazia qeveritare për të prodhuar përralla vazhdon të jetë në gjendje të shkëlqyer!”

