Nga Garnizoni i Vaut të Dejës është përcjellë kontingjenti i radhës i Forcave të Armatosura Shqiptare, i cili do të shërbejë në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë.
Ceremonia u zhvillua në prani të efektivëve të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, ndërsa në përcjellje ishte edhe Komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Petrit Çuni, i cili uroi ushtarakët për përmbushjen me sukses të detyrës.
Kontingjenti shqiptar do të vendoset në Pejë dhe do të jetë pjesë e Kompanisë Kroate të Manovrës, e integruar në Batalionin Kinetik të Komandës Rajonale Perëndimore të KFOR-it.
Ky angazhim është pjesë e kontributit të vazhdueshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në misionin paqeruajtës në Kosovë, me fokus mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend.
Për efektivët që nisen drejt misionit, ky është një tjetër test i profesionalizmit, disiplinës dhe gatishmërisë së tyre për të përmbushur detyrat në një mision ndërkombëtar.
Nga Vau i Dejës, ushtarakët janë përcjellë me urimin për një mision të suksesshëm dhe rikthim të sigurt në Shqipëri.

