Ministri i Mbrojtjes i Britanisë, Wes Streeting, e përshkroi presidentin rus Vladimir Putin si një “vrasës gjakftohtë” gjatë një vizite në Kiev, ku u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Në deklaratat e dhëna, Streeting theksoi se vlerësimi për Putinin duhet bërë nga veprimet dhe jo deklaratat e tij, duke iu referuar veçanërisht sulmeve të përsëritura ruse kundër Ukrainës, sidomos ato që prekin infrastrukturën civile.
“Nuk mjafton që Putini të shfaqet në samitet ndërkombëtare, të ecë mbi tapetin e kuq dhe të flasë gjuhën e paqes, nëse në ditët që pasojnë shohim bombardime të rënda, veçanërisht ndaj infrastrukturës civile. Ai është një vrasës gjakftohtë”, deklaroi ministri britanik.
Ndërkohë, Zelensky njoftoi se Rusia ka kryer 109 sulme mbi ura në Ukrainë, duke përdorur raketa dhe dronë.
Presidenti i Ukrainës e konsideroi të justifikuar përgjigjen e forcave ukrainase me sulme ndaj Urës së Krimesë, e cila shërben si lidhje mes Rusisë dhe gadishullit të pushtuar.
Zelensky shprehu gjithashtu dyshime për gatishmërinë e Vladimir Putinit për të bërë lëshime të vërteta në dialogun për paqen, duke vënë në pikëpyetje sinqeritetin e qasjes së Moskës në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
Kjo vizitë e Streeting në Kiev dhe takimi me Zelenskyn ndodhin në një periudhë të tensionuar, pas një vale të re sulmesh nga Rusia ndaj Ukrainës dhe disa incidenteve me raketa dhe dronë rusë në territorin polak.
