Greqia drejt marrëveshjeve të reja ushtarake me Izraelin, në tryezë sisteme elektronike dhe raketa

Publikuar me datë:

Greqia dhe Izraeli janë në bisedime për marrëveshje të reja në sektorin e mbrojtjes, të cilat mund të arrijnë një vlerë deri në 1 miliard euro. Negociatat po përqendrohen kryesisht në zhvillimin e sistemeve të luftës elektronike, blerjen e raketave me rreze të gjatë veprimi dhe zgjerimin e qendrës së stërvitjes së Forcave Ajrore greke në Kalamata, e menaxhuar nga kompania izraelite ELBIT.

Gazeta greke “Kathimerini” raporton se një nga temat qendrore të këtyre bisedimeve është rritja e kapaciteteve të qendrës së trajnimit të pilotëve në Kalamata. Kjo qendër operon në bazë të një kontrate 20-vjeçare të lidhur në vitin 2021 me ELBIT-in izraelit. Aktualisht, qendra ofron afërsisht 7 mijë orë trajnimi në vit me avionët T-6 dhe 3,500 orë të tjera me avionët reaktivë M-346.

Kërkesa për trajnime është në rritje, ndërkohë që disa shtete arabe kanë shfaqur interes për të përdorur infrastrukturën ekzistuese. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë paraqitur një propozim për një bashkëpunim afatgjatë. Për të përmbushur këto kërkesa të shtuara, do të nevojiten avionë shtesë, më shumë simulatorë, instruktorë të rinj dhe fonde të reja.

Por, Greqia dhe Izraeli nuk kanë arritur ende një dakordësi mbi çmimin e këtij zgjerimi. Greqia i ka vendosur kufijtë e saj financiare në 50 deri 70 milionë euro, ndërsa pala izraelite ka paraqitur një ofertë fillestare prej 280 milionë euro. Procesi i negociatave vazhdon, ndërkohë që Greqia ka investuar tashmë më shumë se 1.5 miliardë euro në këtë projekt që prej vitit 2021.

Sistemet e luftës elektronike përbëjnë një tjetër aspekt të rëndësishëm të partneritetit dypalësh. Sipas “Kathimerini”, bisedimet janë duke u zhvilluar në drejtim të blerjes së pajisjeve të kundërmasave elektronike dhe sistemeve për neutralizimin e këtyre pajisjeve. Greqia synon të shfrytëzojë teknologjinë izraelite për të ndërtuar kapacitete të përshtatura me kërkesat e saj për siguri.

Njëkohësisht, vazhdojnë negociatat me kompaninë Israel Aerospace Industries rreth mundësisë për blerjen e raketave të artilerisë LORA, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 400 kilometra.

Këto zhvillime ndodhin në kuadrin e zgjerimit të bashkëpunimit ushtarak midis Athinës dhe Tel Avivit, pas marrëveshjes së rëndësishme të gushtit 2026 me vlerë 3 miliardë euro për projektin “Mburoja e Akilit”. Gjatë këtij projekti, Izraeli do të ofrojë për Greqinë sisteme të reja të mbrojtjes kundërajrore dhe kundër raketave balistike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related