Zelensky kërkon garanci të forta sigurie për Ukrainën: Miqësia mes Trump dhe Putinit nuk mjafton

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar që vendit të tij t’i ofrohen garanci të qëndrueshme dhe afatgjata sigurie, duke theksuar se rruga më e mirë për të mbrojtur Ukrainën nga agresioni rus mbetet integrimi në NATO.

Pasi mori pjesë në diskutimet e Koalicionit të të Vullnetshmëve, Zelensky reagoi në rrjetin social X, ku vuri në dukje se anëtarësimi i Ukrainës në Aleancën Atlantike do të garantonte jo vetëm siguri për Kievin, por do të forconte edhe vetë NATO-n.

“Rruga më e qartë për të forcuar NATO-n është përfshirja e Ukrainës. Kjo funksionon për të dyja palët, Ukrainën dhe NATO-n”, deklaroi ai.

Sidoqoftë, presidenti ukrainas theksoi se ende nuk është përcaktuar mënyra se si do të sigurohen këto garanci, të cilat duhet të jenë në të njëjtin nivel me mbrojtjen që garanton Neni 5 i Traktatit të NATO-s.

Ai gjithashtu u shpreh se këto garanci nuk duhet të varen nga mandati i presidentit aktual amerikan, Donald Trump, por të mbeten të vlefshme dhe pas përfundimit të tij.

“Duhet t’i garantojmë Ukrainës, para së gjithash qytetarëve tanë, dhe gjithë Europës se garancitë e sigurisë për Ukrainën do të jenë të forta jo vetëm për këto dy vite, gjatë të cilave Donald Trump do të jetë president i Shteteve të Bashkuara, por edhe përtej tyre”, u shpreh kreu i shtetit ukrainas.

Zelensky nënvizoi se Ukraina po zhvillon një luftë për të ardhmen e saj dhe nuk mund të kënaqet me garanci të përkohshme, të cilat do të kishin kufizime kohore.

“Ne po luftojmë për të mbrojtur vendin tonë jo vetëm për dy vite. Dhe na duhen garanci sigurie jo për dy vite, por përgjithmonë”, tha Zelensky.

Duke iu referuar takimit të fundit mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, presidenti ukrainas ndaloi te afrimiteti mes tyre, duke paralajmëruar se një marrëdhënie e tillë midis dy liderëve nuk mund të shërbejë si siguri për paqen dhe stabilitetin e Ukrainës.

“Edhe nëse Putini dhe Trump janë miq, siç u duk së fundmi, ideja se Putini mund të ketë frikë të ndërmarrë diçka apo të nisë një tjetër agresion vetëm për dy vite, nuk funksionon për ne”, përfundoi Zelensky.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe