Një zjarr i rënë në fshatin Vranisht ka sjellë dëme të mëdha materiale, duke shkrumbuar një banesë të pabanuar, sipërfaqe të mbjella me ullinj si dhe të paktën 50 koshere bletësh.
Ajet Llanaj, një nga banorët që ka pësuar humbje nga zjarri, rrëfen se është nisur nga Vlora dhe ka mbërritur në vendngjarje rreth orës 14:30. Ai tregon se, së bashku me fqinjë të tjerë, është përfshirë në përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët.
“Kur erdha unë, ishte edhe shtëpia e zjarrfikëses. Nisëm me vëllezërit dhe të tjerët të mundoheshim të shuanim zjarrin”, tha Llanaj.
Sipas tij, dëmtimi më i madh është regjistruar në bletarinë familjare, ku zjarri ka përfshirë dhe shkatërruar mbi 50 koshere bletësh.
“Kosheret e bletëve, mbi 50 koshere janë djegur. Ky është një dëm maksimal”, u shpreh banori.
Prefektja e Qarkut, Evis Alushi, ka qenë gjithashtu në terren. Ajo deklaroi se do të krijohet një grup pune i posaçëm për të kryer evidentimin e plotë të dëmeve të shkaktuara nga zjarri.
Alushi bëri të ditur se, pas verifikimit të dëmeve, do të shqyrtohet mundësia për kompensimin e familjeve të prekura nga kjo fatkeqësi.

