Gara për Prokurorin e Përgjithshëm, përplasje mes anëtarëve të KLP-së

Publikuar me datë:

Shqyrtimi i një kërkese të depozituar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga kandidati për Prokuror të Përgjithshëm, Ylli Pjetërnikaj, i cili kërkon përjashtimin e anëtarit Vatë Staka nga procedurat e përzgjedhjes shkaktoi debate të ashpra dhe kërkesa të tjera për përjashtime nga vetë anëtarët e KLP-së.

Në mbledhjen plenare të së premtes u lexua pika e rendit të ditës që lidhej me kërkesën e Pjetërnikës për përjashtimin e Stakës, por ky i fundit kërkoi që anëtari Zeqir Hodo të përjashtohej nga procedura e shqyrtimit dhe vendimarrjes të kësaj kërkese. Nga sa u dëgjua prej diskutimeve gjatë mbledhjes, Staka parashtroi se Hodo kishte pasur komunikime me Pjetërnikën edhe pasi ai ishte larguar nga pozicioni i këshilltarit pranë KLP-së. Sipas Stakës, një draft i një rregulloreje të këshillit i ishte dërguar Hodos nga Pjetërnika përmes një email-i privat, kur ky i fundit nuk ishte më pjesë e komisionit për hartimin e rregullores.

Bazuar në këto rrethana, Staka kërkoi përjashtimin e Hodos nga procedura e shqyrtimit dhe vendimarrjes lidhur me kërkesën e depozituar nga Pjetërnika.

Anëtarja Ledina Riza soli në vëmendje se për një rast të ngjashëm në mbledhjen e sotme ishte kërkuar përjashtimi i dy anëtarëve të tjerë, si për atë për të cilin kërkohej përjashtimi, edhe për atë që e kërkonte. Duke sjellë në vëmendje rëndësinë e procesit për përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të ri, ajo kërkoi ndër të tjera, që të vijohej sa më shpejt me dërgimin e kërkesave drejtuar ILDKPKI-së për verifikimin e kandidatëve. Ajo kërkoi që në këtë proces të jenë të pranishëm të gjithë anëtarët e KLP-së.

Anëtari Zeqir Hodo deklaroi se nuk ishte i imperesionuar nga një kërkim i tillë dhe se i vinte mirë që një procedurë e rëndësishme po merrte këtë vëmendje nga vetë këshilli. Ai kërkoi kohë për të dhënë një qëndrim lidhur me kërkesën e Stakës.

Në vijim, Hodo kërkoi që të lexohej kërkesa e Pjetërnikës për përjashtimin e Stakës, duke e cilësuar të rëndësishme që të dihej nga publiku.

“Duhet të lexohet fjalë për fjalë. Kërkoj ta dëgjoj të lexuar fjalë për fjalë, në mënyrë të plotë kërkimin e z.Pjetërnikaj, që të jemi të barabartë në këtë procedurë. Të lexosh se ke një mikrofon, e mos të lexosh objektin, kjo është dhe diskriminuese”, tha Hodo duke vërejtur se ishte garantuar pjesëmarrja e Stakës në një procedurë në të cilën po shqyrtohej kërkesa që ai të mos merrte pjesë në përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. “Ndërkohë që objekti nuk u bë i ditur”, tha Hodo.

Anëtari Sokol Stojani deklaroi në seancën e së premtes se duhej të diskutohej fillimisht nëse Hodo duhej të ishte ose jo pjesë e procedurëa për shqyrtimin e kërkesës së Pjetërnikajt, duke konstatuar se Staka e kishte bërë kërkesën në mënyrë sintetike e të argumentuar. Sipas tij, duhej trajtuar fillimisht kërkesa e Stakës për përjashtimin e Hodos dhe pastaj kërkesa e Pjetërnikës.

Hodo e cilësoi qëndrimin e anëtarit Sokol Stojani të ngjashëm me argumentin për përjashtimin e tij, duke kërkuar kështu përjashtimin e kolegut Stojani. Hodo vërejti se, nisur nga sa kërkonin kolegët, mbetej që të shqyrtohej fillimisht kërkesa e tij për përjashtimin Stojanit, pastaj ajo e Stakës për përjashtimin e tij dhe në fund çështja e rendit të ditës, lidhur me kërkesën e Pjetërnikës për përjashtimin e anëtarit Vatë Staka nga procedura e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm.

Stojani e cilësoi të pabazuar kërkesën e Hodos duke u shprehur se kishte dhënë mendimin e tij lidhur me kërkesën e Stakës.

Në përfundim, seanca u shty për t’u dhënë kohë anëtarëve të hartojnë dhe paraqesin qëndrimin e tyre, ndërkohë që objekti i kërkesës së kandidatit Pjetërnikaj për përjashtimin e anëtarit Vatë Staka, mbeti e panjohur për publikun.

Për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, me një mandat 7-vjeçar janë futur në garë prokurori i SPAK, Adnan Xholi; ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku; prokurorja pranë Eurojust, Fatjona Memçaj dhe prokurorët e Tiranës, Rovena Zoto e Ylli Pjetërnikaj./ BIRN

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Stamboll/ Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë kaos, disa aksidente dhe të lënduar

Stambolli u përball sot me reshje të forta shiu...

Nepal/ 584 viktima, 2 mijë persona të zhdukur

Numri i të vdekurve nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e...

Britani/ Incident në festivalin e krishterë, tabela shembet mbi turmën, 6 të plagosur

Gjashtë persona kanë mbetur të plagosur të premten pasdite,...

Ministria e Mbrojtjes: 11 vatra aktive. Ja situata në Dajt, Bulqizë dhe Librazhd

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar përditësimin ne fundit sa...