Pas më shumë se katër vitesh në arrati, Armando Ndreu, 36 vjeç, i dyshuar për të shtënat me kallashnikov që terrorizuan lagjen “Skënderbeg” në Shkodër në vitin 2022, është arrestuar në Spanjë. Ai pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në vitin 2022, kur Ndreu dyshohet se qëlloi me armë automatike në drejtim të një furre buke në pronësi të Sadet Salës. Sipas hetimeve, shkak i sulmit dyshohet të ketë qenë një konflikt i mëparshëm mes 36-vjeçarit dhe pronarit të biznesit.
Të shtënat me kallashnikov shkaktuan panik te banorët e zonës, ndërsa autori i dyshuar u largua menjëherë pas ngjarjes, duke iu shmangur përballjes me policinë.
Për Ndreun, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Arrestimi i tij u bë në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, pas bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe Interpol Madridit.
Ndërkohë, Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet spanjolle për përfundimin e procedurave të ekstradimit të 36-vjeçarit drejt Shqipërisë.
Armando Ndreu prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
