Në Shkodër, personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të hasin sfida të konsiderueshme në jetën e tyre të përditshme, kryesisht për shkak të mungesës së infrastrukturës së përshtatshme dhe kufizimeve të dukshme për punësim.
Luigj Mila, drejtues i Projektit “Shpresa”, përkujdeset për 65 individë me aftësi të kufizuara dhe persona të tjerë në nevojë. Ai i bën thirrje shoqërisë dhe institucioneve që kjo kategori të marrë vëmendjen dhe vlerësimin e duhur. Mila thekson nevojën për të krijuar mundësi reale për përfshirjen e tyre në tregun e punës, duke synuar t’u sigurohet një jetë më e pavarur dhe dinjitoze.
Një tjetër çështje e rëndësishme lidhet me infrastrukturën urbane. Mila i kërkon institucioneve përgjegjëse të investojnë më shumë, duke shtuar shërbimet, përmirësuar sinjalistikën dhe krijuar kushte të përshtatshme që u mundësojnë personave me aftësi të kufizuara të lëvizin lirisht.
Megjithëse ekzistojnë organizata që punojnë aktivisht me këtë kategori, rol kyç mbetet mbështetja nga institucionet për të garantuar barazi në mundësi. Dy kërkesat kryesore për këtë komunitet mbeten rritja e aksesueshmërisë dhe promovimi i punësimit për të lehtësuar integrimin e tyre të plotë në shoqëri.
