Bardh Spahia: Buxhet për mjete dhune ndaj protestuesve, por mungesë pajisjesh jetike në spitale

Postimi:

Të nderuar kolegë, mirëdita!
Fillojmë mbledhjen e Komisionit të datës 3 nëntor 2026. Në mbledhjen e sotme është parashikuar miratimi i projektkalendarit të komisionit tonë, i cili synon kryesisht shqyrtimin e projektligjit për buxhetin e vitit 2027.
Në fakt, të nderuar kolegë, sigurisht që mbledhja e sotme, përveç shqyrtimit të kalendarit, në gjykimin tim, do të duhej të kishte parashikuar edhe një debat e diskutim të gjerë dhe të thelluar për situatën jashtëzakonisht të rëndë që po kalon vendi ynë, Shqipëria, dhe për trajtimin krejtësisht të papërgjegjshëm dhe kriminal që qeveria Rama dhe kjo maxhorancë po i bëjnë protestës së të rinjve, studentëve dhe studenteve, qytetarëve shqiptarë, të cilët përballen çdo ditë me dhunën e paprecedentë të organeve dhe strukturave të një shteti, i cili ka vendosur të përdorë dhunën ekstreme për të mbrojtur nga përgjegjësia ligjore krimin dhe korrupsionin, në të cilin është zhytur tanimë prej kohësh.
Sigurisht që unë do të kisha dashur dhe do të kisha pritur nga ana e çdo kolegu të këtij komisioni, kryesisht, një reagim për këtë dhunë të paprecedentë, ekstreme, ndaj studentëve dhe qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë protestuar për të drejtat e tyre legjitime.
Por, nga ana tjetër, me keqardhje kam konstatuar se nga përfaqësuesit e maxhorancës nuk ka pasur asnjë reflektim, asnjë reagim, të paktën për të dënuar dhunën ekstreme që është ushtruar ndaj këtyre studentëve.
Është absurde dhe krejtësisht e paimagjinueshme se si nuk u bën aspak përshtypje përfaqësuesve të kësaj maxhorance dhuna me aq shumë pasion të neveritshëm që përdorin strukturat e rendit, me një egërsi kafshërore, ndaj djemve dhe vajzave të cilët protestojnë në sheshet dhe rrugët e Tiranës.
Janë fëmijët tanë. Shumica e tyre përballen me vështirësi të jashtëzakonshme dhe pasiguri ekstreme për të ardhmen e tyre. Do të doja shumë të kërkoja reflektimin dhe pozicionimin tuaj për ta dënuar me forcë dhunën e ushtruar ndaj tyre.
Për sa kohë pretendoni se jeni përfaqësues të qytetarëve shqiptarë, si të zgjedhur nga populli, pavarësisht se fjala «zgjedhje» është e tepërt, gati-gati, në kushtet kur për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk bëhet më fjalë në këtë vend.
Gjithashtu, është krejtësisht e paimagjinueshme se si përfaqësuesit e kësaj maxhorance pranojnë të bëhen vegla qorre në mbrojtjen e kryetarit të organizatës, tashmë, që drejton këtë vend, se parti nuk mund të quhet, duke denigruar dhe duke ulur ndjeshëm imazhin e përfaqësuesve të popullit.
Sigurisht që mandati për t’i përfaqësuar ata nuk është mandat për të mbrojtur pushtetin, krimin dhe korrupsionin, por është mandat për të mbrojtur interesin e qytetarëve.
Është e turpshme dhe skandaloze të shikohet se si përfaqësues të kësaj organizate, tashmë kriminale, kanë zgjedhur të kërcënojnë njëri-tjetrin me afera, të cilat i dinë, por i përdorin thjesht e vetëm për presion, intimidim, kërcënim dhe për të shantazhuar disa prej krerëve të kësaj organizate, me porosi të kryetarit të organizatës.
Siç ishte ngjarja e djeshme, e cila u bë publike, ku kryeministri, kryetari i organizatës, dërgon përfaqësuesin e tij, një ministër të kësaj qeverie, që, në formë mafioze, të kërcënojë për t’i mbyllur gojën një tjetër përfaqësuesi të bandës, i cili tashmë ndodhet në burg, dhe askush nuk reagon.
Unë e kuptoj vështirësinë në të cilën ndodheni, kërcënimin dhe presionin e vazhdueshëm që ju bën kreu juaj i organizatës, por ju bëj thirrje që të ngriheni në nivelin e detyrimit qytetar dhe institucional që keni për të mbrojtur interesin publik, interesin e atyre qytetarëve të cilët pretendoni t’i përfaqësoni.
Më flisni me diskutime boshe për drejtësinë e re, ndërkohë që e pamë fare mirë se si përdoret drejtësia e re nga kreu i organizatës për të kërcënuar të tjerë krerë apo bashkëpunëtorë të tij, për t’u mbyllur gojën dhe për të mos reaguar ndaj aferave, si dhe për të liruar postet apo pozicionet që mbajnë.
Është krejtësisht e papërceptueshme, është krejtësisht kriminale kjo lloj sjelljeje.
Kini bindjen e plotë se sigurisht asnjë prej këtyre veprimeve, asnjë prej këtyre sjelljeve skandaloze kriminale nuk do ta ndalojë vullnetin e qytetarëve për të reaguar, ashtu siç nuk ndalon, përkundrazi, më tepër motivon, detyrimin e opozitës shqiptare për të qenë gjithmonë në krah të interesit publik dhe në krah të qytetarëve, të cilët sot kanë zgjedhur të ngrenë zërin, të zgjohen për të mbrojtur të drejtat dhe interesin e tyre.
Asnjë tirani, asnjë bandë, sado e veshur me pushtet, nuk mund ta ndalojë apo ta mposhtë vullnetin e një populli, i cili ka zgjedhur të ngrihet për liri dhe për drejtësi.
Me keqardhje kam konstatuar që kjo maxhorancë nuk ka ndërmend të reagojë, nuk ka ndërmend të dalë në mbrojtje të interesit publik e qytetar, por dua t’ju siguroj se zëri i atyre të rinjve dhe të rejave nuk do të mbetet një zë i mbytur, por do të jetë zëri që do të ngrihet dhe do të realizojë atë ndryshim aq shumë të pritur nga qytetarët shqiptarë.
Tani, unë besoj që e ka kuptuar i madh e i vogël se në një situatë të tillë është absurde të ulesh e të pretendosh të diskutosh për një buxhet, i cili mban në vetvete vetëm interesin e një grushti njerëzish, të cilët kanë vendosur që, nëpërmjet parave publike, nëpërmjet parave të qytetarëve shqiptarë, të mbushin xhepat e tyre me qindra miliona euro, të cilat tjetërsohen dhe, në vend që të sigurojnë shërbime, pajisje e trajtime jetike për qytetarët shqiptarë, sot shkojnë në xhepat e pushtetarëve shqiptarë.
E kemi parë këtë edhe te mënyra se si është hartuar apo konceptuar ky projektbuxhet, pa asnjë lloj konsultimi. E kemi parë edhe te paketa fiskale, e cila u prezantua nga kryeministri dhe që është kthyer në një barrë jashtëzakonisht të madhe dhe të rëndë për xhepat e qytetarëve shqiptarë.
Është skandaloze dhe e turpshme të shikohet se si, edhe sot, qytetarët shqiptarë vuajnë për pajisje bazike jetike për shëndetin dhe jetën e tyre: për skaner, brakiterapi, PET-skaner e të tjera, për barna jetike, të cilat mungojnë në mënyrë konstante dhe masive në spitalet tona. Ndërkohë që kjo qeveri nuk heziton të përdorë fondet publike, paratë e qytetarëve shqiptarë, për të blerë automjete, pajisje dhe mjete dhune, për t’i përdorur kundër të rinjve dhe të rejave.
Mos harrojmë një krahasim fare të thjeshtë: mjafton një nga ato makinat që përdoren në protesta për të shpërndarë protestuesit me ujë për të blerë të paktën dy pajisje skaner.
Në një kohë kur ka vite e vite që kërkohet pajisja e disa prej spitaleve kryesore të vendit me skaner, në kohë rekord blihen disa makina për të ushtruar dhunë ndaj qytetarëve, si dhe shpenzohen miliona të tjerë për të shtypur me dhunë revoltën e të rinjve dhe të rejave, studentëve shqiptarë.
Është skandaloze të shikohet se si harxhohen fondet publike për të blerë mjete dhune në kohë rekord, por askush nuk mendon se ato fonde mund të ishin përdorur për të plotësuar disa prej kushteve bazike të atyre studentëve të mjekësisë, të cilët përballen me vështirësi ekstreme në jetën e tyre.
Por edhe studentët e tjerë, të cilët, pavarësisht se punojnë më shumë se një punë në disa raste, nuk arrijnë të sigurojnë minimumin e të ardhurave për të garantuar studime normale.
Këto do të ishin çështje që do të duhej ta shqetësonin këtë komision, edhe për vetë fushën që mbulon.
Ashtu siç do të duhej ta shqetësonin këtë komision edhe dhuna barbare, ekstreme, ato pamje skandaloze që kemi parë, në rastin tim edhe drejtpërdrejt, dhe i kam prekur edhe me duart e mia disa prej rasteve të dhunës ekstreme, të cilën nuk gjej mënyrë njerëzore për ta justifikuar.
Këmbë të thyera, gjymtyrë të thyera, kafka të çara, dhunë barbare ndaj disa të rinjve dhe të rejave nga një, le të themi, strukturë kriminale tashmë.
Dhe nuk e kam fjalën për të gjithë policinë, por për një pjesë të mirë të saj, pjesëtarët e së cilës, të paidentifikuar, pa numra identifikimi, me maska në fytyrë, sipas shumë informacioneve, kanë qenë edhe pjesëtarë të strukturave kriminale dhe kanë dhunuar në mënyrë barbare, ekstreme, me urdhër politik të Edi Ramës, të rinjtë dhe të rejat që protestonin në mënyrë paqësore.
Këto do të duhej të ishin çështje për diskutim edhe në këtë komision dhe do të duhej që, në mënyrë unanime, të ishin dënuar këto akte barbare dhune.
Por, për fat të keq, keni zgjedhur të heshtni, keni zgjedhur t’i bindeni urdhrave dhe kërcënimeve të kreut të organizatës, i cili ju ka mbyllur gojën jo vetëm në raport me kundërshtarët, por edhe me vetë përfaqësuesit e organizatës së tij.
Unë kam bindjen absolute se kjo lloj sjelljeje, sigurisht, nuk do të bëjë asgjë tjetër përveçse do t’i nxisë edhe më shumë të rinjtë e të rejat, qytetarët shqiptarë, të reagojnë, të protestojnë kundër një organizate kriminale që sot mendon se mund ta mbajë pushtetin me dhunë, me krim, me banda dhe me para të pista.
Fundi është i afërt, shqiptarët janë zgjuar tashmë. Ora e errët e Shqipërisë po merr fund.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe