Xhuliano Xhaferraj, vëllai i Fridman Xhaferrajt, dëshmoi këtë të martë në Gjykatën e Posaçme në procesin ndaj Laert Haxhiut, ku u paraqit në cilësinë e viktimës.
I shoqëruar nga Policia e Burgjeve, pasi ndodhet në vuajtje të një dënimi për vjedhje, ai rrëfeu momentin kur mësoi për vrasjen e të vëllait, marrëdhëniet që ky i fundit kishte me persona të ndryshëm dhe deklaroi se nuk beson që Laert Haxhiu të jetë autor i krimit.
Dëshmia në gjykatë:
Xhuliano Xhaferraj: Kur më vranë vëllain, unë kam qenë në burg. Kur u lirova, ai kishte tre ditë që ishte vrarë. Viktima ishte identifikuar, por autoritetet nuk ishin ende të sigurta. Më morën në pyetje dhe verifikuan që në momentin e ngjarjes ndodhesha në burg. Pas disa orësh mësova se viktima ishte vëllai im.
U lirova me urdhër lirimi, pasi e kisha përfunduar dënimin. Shkova në shtëpi dhe gjeta policinë duke ushtruar kontroll. Më shoqëruan në komisariat. Më pas shkova në shtëpinë e vjehrrës, pasi aty ndodheshin bashkëshortja dhe fëmija im. Prindërit nuk i kam më.
Fridmani kishte ikur prej kohësh. Më thoshte se ndodhej jashtë shtetit, por nuk dija gjë tjetër. Policia më njoftoi se ishte gjetur i vrarë në Drenovë. Rreth 20 ditë para ngjarjes kishim folur në telefon. Më tha se do të shkonte në Itali. Nuk flisnim shpesh dhe nuk i tregonim njëri-tjetrit shumë gjëra.
Vëllai tjetër, Aleksandri, ndodhej në Greqi në atë kohë. Disa djem e kishin ndihmuar Fridmanin, mes tyre Lulzim Spahiu dhe Kristi Bixheku në Elbasan. Më pas, Fridmani kishte mbetur me ta për t’u larguar drejt Greqisë, ndërsa Aleksandri ishte kthyer në Lushnjë.
Nuk e di kush e vrau Fridmanin. Babai i Laert Haxhiut, Qamili, më ka thënë se djali i tij nuk kishte dorë në atë ngjarje. Tokat i kemi afër dhe rreth një muaj pas vrasjes u takuam rastësisht në rrugë. Më tha: "Djali im nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje." E pyeta se çfarë kishte ndodhur, pasi dëgjoheshin shumë fjalë se urdhrin për vrasjen e kishte dhënë Laerti, por ishin vetëm thashetheme dhe asgjë e sigurt.
Unë nuk kam qenë fare i përfshirë. Kur flisja me vëllain, ai më thoshte të shihja hallet e mia dhe të familjes sime.
Fridmani nuk më ka kërkuar ndonjëherë ndihmë. Ai merrej vetë me shitjen e lëndëve narkotike. Nuk di të ketë pasur konflikte serioze. Është shoqëruar nga policia për kundërshtim dhe ka bërë burg. Herën e fundit ka qenë në burgun e Peqinit, disa muaj para se të vritej, ku qëndroi 11 ditë. Nuk kam arritur ta takoj.
Nuk e di pse është vrarë. Kam dëgjuar që flitej për armë dhe drogë, por nuk jam i sigurt.
Artan Tafanin e njoh. Kemi qenë bashkë në burgun e Rrogozhinës në vitin 2012. Na vizitonin familjet në të njëjtën kohë dhe dilnim bashkë me gratë dhe fëmijët. Tafani e ka njohur edhe Fridmanin, pasi kanë qenë gjithashtu bashkë në burgun e Rrogozhinës.
Laert Haxhiun e njoh prej vitesh. Babai im dhe Qamili kanë lidhje të afërta familjare. Njoh edhe nënën e Laertit. Asnjë pjesëtar i familjes së tij nuk më ka vizituar ndonjëherë në burg.
Unë nuk e mendoj fare që Laerti e ka kryer këtë vrasje. Këtë ia kam thënë edhe Qamilit. Vëllai im nuk ka pasur ndonjëherë konflikte me Laertin.
Artan Tafani është përdorues i lëndëve narkotike. Konsumonte heroinë ("të kuqe"), edhe jashtë burgut. E kam parë vetë dhe e di që është përdorues droge.

