Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria dhe Kosova janë të interesuara në përfshirjen e Japonisë në projektin strategjik të ndërtimit të hekurudhës Durrës–Prishtinë, e cila mendohet të shtrihet më tej drejt Nishit dhe të krijojë lidhje me Europën Qendrore.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka ndarë informacione nga një takim me një delegacion të gjerë të biznesit japonez, duke i informuar ata për rëndësinë e projektit dhe mundësinë për bashkëpunim me investitorë nga Japonia.
Sipas kryeministrit, kjo ide është diskutuar disa herë edhe me homologun e tij të Kosovës, ndërsa ai theksoi se angazhimi i Japonisë në këtë iniciativë do të mirëpritej nga të dyja shtetet.
Një tjetër aspekt që Rama ka theksuar është rëndësia strategjike që hekurudha do të ketë për NATO-n, veçanërisht në funksion të Portit të ri të Durrësit, i cili, sipas tij, do të përfshijë edhe një seksion të veçantë të destinuar ekskluzivisht për aktivitete ushtarake dhe të Aleancës.
Kreu i qeverisë iu bëri thirrje përfaqësuesve japonezë të shqyrtojnë projektin dhe të japin mendimet e tyre, duke nënvizuar gatishmërinë e Shqipërisë dhe Kosovës për të bashkëpunuar me Japoninë ose partnerë japonezë në realizimin e kësaj vepre.
Edi Rama: Së bashku me Kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë, e cila më pas kalon nëpër Nish dhe lidhet me Europën Qendrore.
Kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s.
Ky mund të jetë një investim shumë interesant. Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj.
Së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt.
