Robert Shestani flet për synimet e Vllaznisë: Këtë sezon duam të shpallemi kampionë

Basketbollisti i Vllaznisë, Robert Shestani, ka shprehur synimet e skuadrës shkodrane për këtë sezon, në një kampionat ku gara për titullin duket se do të jetë mjaft e fortë.

Shestani u ndal veçanërisht tek sfida e ardhshme me Skënderbeun, duke theksuar se këtë sezon disa ekipe kanë arritur nivele të ngjashme dhe janë në pozita të barabarta për të luftuar deri në fund të kampionatit.

Gjatë prononcimit të tij, basketbollisti shkodran u shpreh gjithashtu i shqetësuar për numrin e madh të lojtarëve të huaj që luajnë në kampionatin shqiptar, duke vënë në dukje se kjo situatë ndikon në hapësirat për lojtarët vendas dhe rrjedhimisht në progresin e ekipit kombëtar.

“Starti ishte shumë i mirë. Lojtarët e rinj që u afruan në ekip arritën të përshtaten shumë shpejt me pjesën tjetër të skuadrës. Lojtarët e huaj që erdhën para fillimit të sezonit u përshtatën shumë shpejt edhe me taktikën e trajnerit, profesor Eni Llazani, i cili ka bërë një punë shumë të madhe, duke arritur të ndërthurë lojtarët e huaj me lojtarët shqiptarë dhe të krijojë grupin. Fillimi ishte shumë i mirë, duke pasur parasysh se në gjashtë takime kemi po aq fitore. Ndeshja e radhës është kundër Skënderbeut, një ekip pretendent dhe i fortë, që në fushën e vet është shumë i vështirë për t’u mundur. Megjithatë, ekipi ynë po i merr të gjitha masat për të shkuar atje dhe për të fituar. Këtë vit të gjitha ekipet janë pothuajse në të njëjtin nivel. Nuk mund të veçosh as Vllazninë, pavarësisht se jemi në vend të parë me gjashtë ndeshje dhe gjashtë fitore. Ne do t’i marrim ndeshjet një nga një. Besëlidhja është një nga pretendentet kryesore. Janë edhe Teuta dhe Kamza, ekipe që pretendojnë të shkojnë sa më larg në kampionat. Në aspektin personal pres fitimin e titullit kampion. Pastaj është edhe Kupa e Shqipërisë, që zhvillohet në janar dhe pse jo, edhe aty do të jemi pretendentë. Por fillimisht jemi të përqendruar te ndeshjet e kampionatit, t’i marrim me radhë dhe të arrijmë të bëjmë shtatë ndeshje, shtatë fitore, duke nisur nga kjo fundjavë”, tha ai.

Fitues i pesë titujve kampion gjatë karrierës së tij, Shestani synon të shtojë edhe një trofe tjetër me Vllazninë këtë sezon.

Aktualisht, Vllaznia drejton kampionatin me gjashtë fitore pas gjashtë takimesh dhe këtë fundjavë do të masë forcat me Skënderbeun.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe