Panairi i punësimit në Shkodër, 10 persona me aftësi të kufizuara kanë gjetur punë..

Dhjetë persona me aftësi të kufizuara kanë arritur të punësohen përmes projektit POWER, ndërsa për shumë të tjerë është ofruar mbështetje përmes mentorimit dhe orientimit drejt tregut të punës.

Rezultatet u prezantuan gjatë një panairi punësimi, ku në fokus ishte krijimi i mundësive të barabarta dhe përfshirja më e madhe e personave me aftësi të kufizuara në jetën profesionale dhe shoqërore.

Gjatë aktivitetit, Nersada Mandija, nëpunëse e Antenës së Sekretariatit të Përbashkët Teknik, vuri theksin te rëndësia e vazhdimësisë së programeve të financuara nga IPA III, si një mundësi për të zgjeruar mbështetjen dhe për të arritur rezultate konkrete në këtë drejtim.

Projekti POWER synon të lehtësojë integrimin në tregun e punës, të ofrojë rehabilitim profesional dhe të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të jetesës për personat me aftësi të kufizuara në zonën ndërkufitare.

Panairi bëri bashkë përfaqësues të bizneseve, institucioneve vendore, zyrave të punësimit dhe organizatave që mbështesin këtë kategori, duke krijuar mundësi për shkëmbim përvojash dhe bashkëpunime të reja.

Mesazhi kryesor i aktivitetit ishte se aftësia e kufizuar nuk duhet të jetë pengesë për punësimin dhe se krijimi i mundësive të barabarta kërkon angazhimin e institucioneve dhe bizneseve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe