Rikthehen dyshimet për vrasjen e Jeffrey Epstein, i vëllai publikon fotot e autopsisë dhe kërkon hetim të pavarur

Mark Epstein, vëllai i miliarderit të dënuar për abuzime seksuale ndaj të miturve, Jeffrey Epstein, ka bërë publike një sërë fotografish të marra gjatë autopsisë së vëllait të tij. Në të njëjtën kohë, ai ka kërkuar zhvillimin e një “hetimi të vërtetë për vrasje”.

Kjo iniciativë pason deklaratat e ekspertit të mjekësisë ligjore, Michael Freeman, i cili pohon se të dhënat e autopsisë tregojnë qartë se vdekja e Jeffrey Epstein në qelinë e burgut në Manhattan në vitin 2019 nuk ishte vetëvrasje me varje, siç është raportuar zyrtarisht.

Freeman thekson se sipas tij, dëmtimet e konstatuara në trup nuk janë të pajtueshme me vetëvrasjen.

“Kjo lë të hapur vetëm versionin e vrasjes”, deklaroi ai.

“Duhet të pyesësh veten se kush e vrau dhe kush urdhëroi vrasjen e tij? Pse Departamenti i Drejtësisë po e mbulon këtë çështje? Kë po mbrojnë?”, shtoi Freeman, i cili mendon se hetimet duhet t’i zhvillojë një organ i pavarur.

Sipas Freeman, pas një viti studimi të hollësishëm të rezultateve të autopsisë, shenjat në qafën e Epstein tregojnë për prani përleshjeje dhe, si rrjedhim, ai beson se kemi të bëjmë me mbytje të qëllimshme.

Ai argumenton se gjurmët e litarit në qafën e Epstein nuk përkojnë me ato që zakonisht shihen në vetëvrasje, por më tepër përputhen me shenja të një sulmi nga pas, duke përdorur të njëjtin objekt me të cilin Epstein u gjet i varur.

Freeman, për më tepër, pretendon se ka konstatuar praninë e shenjave të thonjve mbi gjurmët që la litari.

Ndërkohë, autopsia e parë, e realizuar nga mjekja Kristin Roman, nuk identifikoi shenja të ndonjë përleshjeje apo elementë të dyshimtë që do të tregonin vrasje. Sipas saj, nuk kishte dëmtime të dyshimta ose elementë që sugjeronin mbytje.

“Ka ardhur koha që opinioni publik ta rishqyrtojë këtë çështje”, nënvizon Freeman për një prej rasteve më të bujshme, që mbetet me shumë pikëpyetje dhe paqartësi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe