Tabaku tregon qëndrimin e PD-së për buxhetin: I thamë jo propagandës së Ramës

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë për mungesë vizioni dhe transparence në lidhje me projektbuxhetin dhe paketën fiskale të propozuar.

Gjatë prononcimit të saj, Tabaku kritikoi mungesën e konsultimeve reale dhe ndryshimet e shpeshta në qëndrimet zyrtare të ekzekutivit, duke theksuar se qeveria ndryshon versionet nga dita në ditë dhe vijon të mos ketë një strategji të qartë për çështjet kyçe si dividenti apo mbështetja për fermerët.

“Këshillit tatimor ministri i financave i tha “Nuk ndërrohet buxheti.” Të nesërmen shkoi zëvendësministri dhe tha: “Na e sollën kështu gati, do ndërrohet buxheti.” Ky është konsultimi. Ka dhënë katër variante të ndryshme se si do paguhet dividendi, edhe sot na dha një variant tjetër. Këto akoma nuk e dinë se si do paguhet dividendi. Dha një variant tjetër edhe për fermerët: “Fermerët nuk do përfshihen në TVSH se do ndryshohet VKM-ja.” Po u ndryshua VKM-ja 822, pse nuk i ke ndryshuar, pse nuk i përfshive dhe fermerët këto? Shiko, është shumë e vështirë që të bësh një debat profesional me njerëz që gënjejnë pa iu skuqur fytyra”, u shpreh Tabaku.

Tabaku gjithashtu shprehu kundërshtimin ndaj ndryshimeve në skemën e TVSH-së, duke argumentuar se ulja në 6% humbet vlerë për shkak të rritjeve të tjera, gjë që sipas saj dëmton një prej elementëve më të rëndësishëm të sistemit fiskal.

“Po të kishim një treg perfekt që do të funksiononte në mënyrë perfekte, ulja e TVSH-së duhet të ishte për t’u përshëndetur. Por masa e uljes së TVSH-së në 6% me rritje në 21%, siç tha Bardhi atje vetë në relacion, zerojnë njëra-tjetrën. Dhe sinqerisht, unë nuk e di se kush ka qenë ajo mendje brilante që ka prishur një nga shtyllat më solide të sistemit fiskal, që është TVSH-ja. Një nga shtyllat më solide ka qenë TVSH-ja 20%”, theksoi ajo.

Gjatë një interviste me gazetaren Erla Mëhilli, Tabaku u ndal edhe te zhvillimet në Kuvend, duke sqaruar se largimi i opozitës nga salla gjatë fjalës së kryeministrit Rama nuk përbënte një strategji të mirëfilltë, por ishte më tepër një reagim ndaj, siç u shpreh ajo, propagandës së përsëritur.

“Unë nuk besoj që ishte ndonjë strategji. Thjesht besoj që pjesa më e madhe e kolegëve refuzuan që të dëgjojnë të njëjtën propagandë bajate të Ramës. Ne ishim aty për buxhetin, nuk ishim për Ramën as për ministrat, ishim për qytetarët. Në fund të ditës qytetarët do e vuajnë në kurriz, buxheti s’ka për ta vuajtur as Rama, as ministrat”, u shpreh ajo.

Tabaku u pyet gjithashtu nëse opozita do të marrë pjesë vetëm me fjalime apo edhe në votim, duke theksuar se qëndrimi i tyre do të jetë kundër.

“Vota është kundër! Do shohim deri në fund se si do shkojë, por vota është kundër. Është e qartë”, deklaroi Tabaku.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe