Aldo Gjini, i cilësuar nga SPAK si anëtar i grupit kriminal të Rrajave të Fushë-Krujës, është zhvendosur nga burgu i Drenovës drejt regjimit të posaçëm të sigurisë 41 BIS.
Burime konfidenciale bëjnë të ditur se vendimi për këtë transferim pasoi tre muaj vëzhgimi të vazhdueshëm. Deri në këtë moment, Gjini ishte mbajtur në izolim në Drenovë, ndërsa tashmë do të vuajë dënimin në kushtet e forta të 41 BIS, ku kufizimet e sigurisë dhe komunikimit janë ndjeshëm më të ashpra.
SPAK e akuzon Aldo Gjinin si pjesë e grupit kriminal të Rrajave të Fushë-Krujës dhe e dyshon atë për rol në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Masat ndaj tij u morën si pjesë e një operacioni në dhjetor 2025, kur Gjini u vu në “arrest në burg”, sipas raportimit të gazetares Lorena Kodra.
Emri i tij është lidhur edhe me episode të tjera kriminale, duke përfshirë një plagosje në Tiranë në vitin 2021. Përveç kësaj, raportohet se Gjini ka pasur përplasje me drejtësinë edhe në Itali dhe Luksemburg.
