Një mesazh kërcënues për një mjet shpërthyes u zbulua të premten në tualetin e avionit që kryente fluturimin Manchester-Rinas. Mesazhi, i shkruar në gjuhën angleze, u gjet rreth orës 19:30.
Sipas informacioneve zyrtare, menjëherë pas sinjalizimit, të gjithë pasagjerët u zbarkuan në mënyrë të kontrolluar. Më pas, avioni, udhëtarët dhe bagazhet e tyre iu nënshtruan një kontrolli të detajuar, ku u përfshinë edhe qentë antieksplozivë. Nga verifikimet e kryera në bord, nuk u gjet asnjë objekt i dyshimtë apo shpërthyes, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
“Rinas/ Informacion paraprak. Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester-Rinas, shërbimet e Policisë Kufitare janë njoftuar nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër, e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.
Në vijim, pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues.
Gjatë kontrollit të avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes. Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën”, thuhet në njoftim.
