Drejtoria Vendore e Policisë Kukës ka reaguar ndaj një lajmi të shpërndarë në rrjetet sociale, ku thuhej se një i ri ishte rrëmbyer dhe mbajtur në një pyll pasi kishte pasur një përplasje me dy persona të tjerë. Sipas policisë, ky informacion nuk është i saktë, pasi ngjarja ka të bëjë me një konflikt fizik midis tre qytetarëve.
Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur më 20 nëntor, ku shtetasi me inicialet V. D. është përfshirë në një konflikt fizik me dy të tjerë në qytetin e Kukësit, për shkaqe të parëndësishme, dhe ka bërë denoncim pranë autoriteteve.
Më pas, ndërsa V. D. po udhëtonte me makinën e tij në rrugën e Hasit, dy personat me të cilët kishte pasur përplasjen i kanë zënë rrugën, duke dëmtuar me mjete të forta automjetin dhe e kanë sulmuar edhe fizikisht të riun.
Gjatë këtij momenti, në makinë ndodhej edhe një punonjës policie, i cili ka ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe ka kërkuar ndihmën e kolegëve të tij nga shërbimet e tjera të Policisë.
Pasi efektivi ndërhyri, dy personat, S. J. dhe S. J., përkatësisht xhaxha dhe nip, u larguan nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht janë shpallur në kërkim. Policia njofton se është ende në ndjekje për gjetjen dhe kapjen e tyre.
