Rama sulmon BE-në: Brukseli është kthyer në “vendin më të sofistikuar të torturës”

Gjatë një konference të zhvilluar në Bruksel, kryeministri Edi Rama shprehu kritika të forta ndaj Bashkimit Europian për mënyrën sesi është menaxhuar procesi i integrimit të Shqipërisë. Duke iu referuar tre viteve të refuzimeve për hapjen e negociatave, Rama e përshkroi BE-në si “vendin më të sofistikuar të torturës”, por theksoi edhe ndikimin pozitiv që procesi i bazuar në meritë ka pasur në forcimin e institucioneve shqiptare.

Rama vlerësoi kontributin e BE-së në konsolidimin institucional të Shqipërisë dhe e quajti procesin e integrimit “një burim të jashtëzakonshëm dijeje”. Sidoqoftë, ai vuri në dukje një ndasi të qartë mes rolit të Komisionit Europian, të cilin e konsideroi pozitiv, dhe qëndrimeve të vendeve anëtare, të cilat, sipas tij, shpesh janë ndikuar nga interesat politike të brendshme dhe kanë sjellë zhgënjim për Shqipërinë.

Ai rikujtoi gjithashtu periudhën trevjeçare kur negociatat për anëtarësim mbetën të bllokuara, duke theksuar se kjo gjendje u shkaktua nga qeveria holandeze nën drejtimin e Mark Rutte. Rama pranoi se marrëdhëniet u ndikuan nga ky fakt, por shtoi se në vijim, raportet mes tyre u bënë shumë të mira.

“Është një proces, i cili na bën ne të aftë të bëjmë gjëra për të cilat, përkundrazi, nuk do të ishim në gjendje t’i bënim. Përgjatë gjithë historisë, traditës dhe mungesës së institucioneve e të shoqërive të ndërtuara mbi institucione, nuk do të kishim qenë në gjendje t’i bënim këto gjëra. Por, për fat të mirë, jemi në mes të Europës dhe kemi Bashkimin Europian.

Bashkimi Europian është burimi më i jashtëzakonshëm i dijes se si ndërtohen institucionet dhe si krijohet një sistem që funksionon në vetvete. E di që po kështu është vendi më i sofistikuar i ‘torturës’. Nuk ka aspak dyshim. ‘Torturat’ që mund të gjesh në këtë ndërtesë janë të pashoqe.

Ata e dinë saktësisht se si të ‘derdhësh gjak’ në çdo hap që hedh. Por kjo bëhet për ne, mbi të gjitha për ne. Shqipëria sot është një vend krejtësisht ndryshe falë këtij procesi. Kështu që, të kesh diçka ndryshe nga procesi i bazuar në meritë është njësoj si të marrësh patentën pa ditur t’i japësh makinës. Rrezikon veten, por rrezikon edhe të tjerët.

Europa nuk ta jep këtë gjë, por ajo që mendoj se mungon është politika. Mendoj se Komisioni ka të drejtën e vet që të na ‘torturojë’ dhe e bën këtë në mënyrë të përsosur. Por, ndërkohë që falë kësaj ‘torture’ dhe punës ne përmirësohemi gjithmonë e më tepër, politika e Bashkimit Europian shpesh na zhgënjen, na rrëzon për shkak të dobësisë së saj apo për shkak të politikave të brendshme në një shtet anëtar, në një tjetër apo në një tjetër.

Nuk do t’i kthehem kohës së poshtërimit. Tre vjet falë vendit të kolegut tim këtu. Jo, jo, vendi juaj, politika juaj, qeveria juaj, Mark Rutte, nëse doni ta them kështu, sepse nuk kishte një shumicë që do të qëndronte po të tregohej mirë me mua, kështu që u tregua i keq me mua. Por, kështu u bëmë miq shumë të mirë.

Politika është shumë pas, mbetet shumë pas. Ajo që shpresoj, dëshiroj dhe për të cilën lutem është që sot Europa të gjejë momentin e saj, Helmut Kohl.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe