Aksident tragjik në Itali, humb jetën 31-vjeçarja shqiptare, plagosen tre fëmijë

Publikuar me datë:

Një grua 31-vjeçare me origjinë shqiptare ka ndërruar jetë pas një aksidenti të rëndë rrugor në Itali, ndërsa tre fëmijë që udhëtonin së bashku me të janë plagosur. Viktima është identifikuar si Emanuela Shahini, e cila jetonte në Prata di Pordenone.

Ngjarja ka ndodhur paraditen e 22 nëntorit, rreth orës 11:00, në zonën e Prata di Pordenone. Shahini ishte nisur bashkë me fëmijët për t’i çuar në Villanova, ku do të merrnin pjesë në festën e 10-vjetorit të ditëlindjes së nipit të saj.

Sipas hetimeve paraprake të karabinierëve, automjeti “Ford Fiesta” ka humbur kontrollin në një kthesë për shkak të rrugës së lagur nga shirat. Mjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë betoni, e cila është shembur duke kaluar në pjesën e përparme të automjetit. Forca e përplasjes ishte e tillë që mjeti përfundoi i përmbysur mbi strukturën e betonit.

Emanuela Shahini u bllokua në makinën plotësisht të dëmtuar. Zjarrfikësit ndërhynë për ta nxjerrë, ndërsa ekipi mjekësor i ofroi ndihmën e parë në vend. Ajo u transportua me urgjencë drejt spitalit Santa Maria degli Angeli në Pordenone, por humbi jetën pak pas mbërritjes, rreth orës 12:30.

Brenda automjetit ndodheshin edhe tre fëmijë: djali 6-vjeçar i Shahinit, vajza e saj 4-vjeçare si dhe një vajzë tjetër 10-vjeçare, shoqe e tyre. Raportet bëjnë të ditur se fëmijët mundën të largoheshin vetë nga makina pas aksidentit.

Vajza 4-vjeçare u dërgua me helikopter drejt spitalit të Udines, ndërsa dy të miturit e tjerë u transportuan në spitalin e Pordenones për ekzaminime dhe trajtim. Ata kanë pësuar lëndime dhe mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit. Gjendja e tyre po monitorohet nga stafi mjekësor.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar ambulanca, helikopteri mjekësor, zjarrfikësit dhe karabinierët nga kompania Sacile. Hetimi është në vijim për të përcaktuar me saktësi shkaqet e aksidentit, si dhe për të sqaruar nëse të gjithë udhëtarët kishin vënë rripat e sigurimit sipas rregullores.

Lajmi për humbjen e Shahinit ka lënë të tronditur komunitetin e Prata di Pordenone. Kryetarja e bashkisë, Katia Cescon, i ka shprehur ngushëllimet familjes së viktimës dhe ka shprehur mbështetjen e saj për të afërmit në këtë kohë të vështirë.

“Në emrin tim dhe të gjithë administratës bashkiake, shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes së Emanuelës për këtë tragjedi të madhe. Një nënë e re u nda nga jeta shumë shpejt. Një lutje e veçantë për vajzën e vogël që ishte në bord me të, e shtruar në spital, dhe një mendim plot dashuri e afërsi për të gjithë të dashurit e saj, me të cilët jemi pranë në këtë moment dhimbjeje të papërshkrueshme”, u shpreh ajo.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related