22 nëntori është një prej ditëve më të rëndësishme për kombin shqiptar, dita e Alfabetit, dita kur gjuha shqipe që ne kemi ende sot mori formë zyrtare.
Shkodra pati një peshë të madhe nga 14 nëntori i 1908 deri më 22 nëntor 1908 ku u vendos njësimi i alfabetit shqip mbi bazën latine.
Në këtë ditë kaq të rëndësishmë në Shkodër, nuk u organizua asnjë aktivitet, asnjë ceremoni, asnjë përkujtim institucional. 22 nëntori kaloi në heshtje të plotë në Shkodër, qytetin që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e gjuhës dhe alfabetit shqip.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci është djali i gjuhëtarit dhe akademikut të ndjerë Bari Beci. Më shumë se askujt, Benetit si kryetar bashkia por edhe si djali i një akademiku të gjuhës shqipe, i takoi që të ishte në krye të një organizimi të denjë në ditën e alfabetit por zgjodhi të mos e bënte një gjë të tillë.
Kjo mungesë e theksuar vëmendje ndaj ngjarjeve të rëndësishme ku Shkodra ka një peshë të veçantë, tregon se kryebashkiaku Benet Beci dhe bashkia që ai drejton, mendojnë vetëm për fasadën e përditshme dhe mendojnë vetëm se si të përvetësojnë përmes skemave të korrupsionit paratë e aktiviteteve gjoja kulturore dhe artistike.
Është e vështirë të kuptohet se si një qytet me traditën, historinë dhe kontributin kulturor të Shkodrës mund të kalojë pa përkujtuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Sot, më 22 Nëntor, kur në të gjithë vendin kjo datë shënohet në nderim të Kongresit të Manastirit dhe njësimit të alfabetit shqip, institucionet vendore në Shkodër në mënyrë të turpshme zgjodhën heshtjen.
Bashkia Shkodër nuk organizoi asnjë aktivitet publik për këtë ditë, nuk pati një ceremoni përkujtimore dhe as një veprimtari që të sillte në vëmendje rëndësinë historike të 22 Nëntorit. Një mungesë që nuk mund të konsiderohet thjesht si harresë në kalendar, por si një neglizhencë totale e pajustifikueshme institucionale ndaj trashëgimisë kulturore të qytetit.
Kjo është edhe më e rëndë kur dihet se Shkodra nuk është një qytet dosido në historinë e alfabetit shqip. Shoqëritë letrare “Bashkimi” dhe “Agimi” ishin ndër protagonistet e rëndësishme të përpjekjeve për njësimin e shkrimit shqip. Ndërsa Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi dhe Ndre Mjeda janë vetëm disa prej emrave të mëdhenj që lidhin historinë e këtij qyteti me Kongresin e Manastirit.
Bashkia Shkodër nuk mund të kujtohet për trashëgiminë vetëm kur organizon aktivitete festive, promovon turizmin apo flet për vlerat historike të qytetit. Kultura dhe historia kërkojnë vëmendje të përditshme, por mbi të gjitha kërkojnë përgjegjësi për të mos lejuar që data të tilla të kalojnë në harresë.
Një qytet që pretendon të ruajë identitetin e tij nuk mund të heshtë në një nga ditët më domethënëse të historisë kombëtare.
Sot Benet Beci nuk injoroi vetëm Ditën e Alfabetit por harroi edhe kujtimin ndaj babait të tij i cili edhe pse nuk jeton më, sot nuk ndjehet krenar që djali i tij harron me dashje 22 Nëntorin e 1908, ditën kur Shkodra pati një peshë të madhe në Kongresin e Manastirit.


