Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatet dhe kundërshtimet që kanë shoqëruar propozimin e Partisë Socialiste për ndryshimin e hartës territoriale të vendit.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama thekson se reforma ndodhet aktualisht në fazën e konsultimit publik, e cila do të zgjasë 60 ditë. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe të gjitha palët kanë të drejtë të japin opinionet dhe propozimet e tyre.
Rama ka komentuar edhe reagimet e disa anëtarëve të PS-së që janë shprehur kundër reformës. Ai e ka cilësuar si të papranueshëm rastin e djegies së teserave të partisë, ndërsa ka kritikuar edhe disa deputetë socialistë, të cilët sipas tij kanë reaguar pa e kuptuar në mënyrë të plotë përmbajtjen e reformës.
Kryeministri argumenton se kundërshtimet publike nuk përbëjnë një problem për procesin, për sa kohë ato zhvillohen në mënyrë paqësore dhe brenda kuadrit ligjor.
Sipas Ramës, kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë duhet të paraqesin qëndrimet e tyre me shkrim, ndërsa edhe protestat lejohen për sa kohë nuk cenojnë të drejtat e qytetarëve apo shkelin ligjin.
Ai shton se gjatë 60 ditëve të konsultimit pritet të ketë më shumë informim mbi arsyet që kanë çuar qeverinë në propozimet konkrete për ndryshimin e organizimit territorial.
Rama ka argumentuar gjithashtu se në vlerësimin e hartës së re nuk mund të merren si kritere vendimtare elemente si historia e lashtë e një zone, numri i të rënëve në luftëra apo gojëdhënat, duke theksuar se vendimmarrja duhet të mbështetet në argumente të tjera.
Reforma Territoriale pritet të vijojë të jetë pjesë e një debati të gjerë politik dhe publik gjatë periudhës së konsultimit.

