Ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, ka ironizuar kryeministrin Edi Rama për mënyrën e veshjes së tij në një ceremoni ku ishin të pranishme Forcat e Armatosura dhe simbolet kombëtare.
Në një reagim në rrjetet sociale, Spahia thekson se ceremonitë zyrtare kërkojnë solemnitet dhe respekt institucional, ndërsa për zyrtarët e lartë standardi është veshja formale.
Duke iu referuar veshjes së Ramës, Spahia shkruan se paraqitja me “poture të gjera dhe atlete të bardha” përballë ushtarakëve është në kundërshtim me rregullat e përfaqësimit institucional.
“Të dalësh me poture të gjera dhe atlete të bardha para atyre që e mbajnë uniformën e shtetit me sakrificë, është tallje dhe ofendim”, shprehet Spahia.
Ai e akuzon Ramën se një paraqitje e tillë bie ndesh me solemnitetin që kërkojnë ceremonitë shtetërore dhe me respektin ndaj institucioneve dhe Forcave të Armatosura.


