Elektricisti 34-vjeçar, Angjelin Nika, ka humbur jetën mbrëmjen e sotme në fshatin Bardhaj të Shkodrës, pasi dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike gjatë riparimit të një defekti në një shtyllë elektrike.
Sipas informacionit paraprak të policisë, punonjësi ishte thirrur jashtë orarit zyrtar nga disa familje që kishin mbetur pa energji elektrike. Ndërhyrja dyshohet se është kryer pa njoftuar dispeçerinë e OSHEE-së.
34-vjeçari është transportuar rreth orës 20:36 në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër, por ka mbërritur pa shenja jete.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

