Gazetarja Klodiana Lala ka bërë publike informacione të reja lidhur me hetimin që po kryen SPAK ndaj SHISH, duke u ndalur veçanërisht te dyshimet për përfshirjen e drejtoreshës Vlora Hyseni në një rast të mundshëm korrupsioni.
Lala pohoi se SPAK po shqyrton nëse shumat e dyshuara të parave kanë lidhje me fonde të siguruara përmes veprimtarive të paligjshme pranë AKSHI, si dhe po heton përfshirjen e anëtarëve të familjes së Hysenit në këtë skemë të dyshuar.
Sipas gazetares, Prokuroria ka dërguar kërkesa zyrtare për informacion në Kosovë dhe Gjermani, me qëllim që të kontrollojë lëvizjet e realizuara në llogaritë bankare.
Lala shtoi se aktualisht po merren në pyetje individë të ndryshëm lidhur me këtë çështje, ndërkohë që në lidhje me dy transfertat bankare, Orest Sota ka sqaruar se bëhet fjalë për financim të një projekti.
Ajo vuri në dukje se hetimet nuk përqendrohen vetëm te emri i Vlora Hysenit, por edhe te ndikimet e mundshme të këtyre zhvillimeve në funksionimin e SHISH.
“SPAK ka dyshime që mund të jenë para të përfituara nga aktiviteti kriminal në AKSH dhe për këtë arsye është duke hetuar rolin e zonjës Hyseni, nëse është e përfshirë në veprën penale të korrupsionit dhe po ashtu edhe familjarë të saj. Janë nisur letërporosi drejt Kosovës dhe drejt shtetit gjerman për të verifikuar të gjitha lëvizjet e llogarive. Janë duke u pyetur personat, për dy transferta zoti Orest Sota kanë pretenduar që kanë të bëjnë me një projekt. Dyshimet janë për momentin të tilla. Përtej emrit të Vlora Hysenit duhet të na shqetësojë se ku ka përfunduar SHISH, sa dëm i është shkaktuar vendit? Përse kryeministri nuk ka ende një kandidaturë konkrete për ta vënë në krye të SHISH? Sot zoti Rama do duhet të ketë një kandidaturë”, tha ajo.
