Gazetari Eni Ferhati ka hedhur dritë mbi zhvillimet më të fundit në lidhje me ish-drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni, ndaj së cilës janë ngritur edhe dy akuza të tjera: korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë dhe pastrim parash.
Sipas Ferhatit, hetuesit kanë ndjekur gjurmët e tri transfertave të dyshimta financiare të dërguara drejt Gjermanisë. Këto transferta janë realizuar nga kompani të lidhura me Ergys Agasin dhe kanë pasur si përfitues subjekte që besohet se kanë lidhje me dy vëllezër të Hysenit.
“Për ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni janë regjistruar në regjistrin e veprave penale edhe dy vepra të tjera për të, duke rënduar ndjeshëm pozitën penale të zonjës Hyseni. Bëhet fjalë për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe po ashtu edhe të veprës penale të pastrimit të parave. Nga vijimi i hetimeve dhe ekspertimi kryesisht i aparatëve telefonik por dhe veprime të tjera hetimore që kanë kryer prokurorët e posaçëm Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, janë gjurmuar tre transferta në drejtim të Gjermanisë nga kompani të lidhura me Ergys Agasin në dosjen e AKSHI-t”, tha gazetari.
Ferhati thekson se dy prej këtyre transfertave kanë përfunduar në një kompani të vetme, ndërsa një tjetër transferim, me vlerë rreth 450 mijë euro, është anuluar.
“Bëhet fjalë për dy transferta nga 250 mijë euro që kanë përfunduar në një kompani të lidhur me një prej vëllezërve të Vlora Hysenit dhe nga ana tjetër një transfertë tjetër prej afro 450 mijë euro që është nisur po ashtu në një kompani tjetër të lidhur me një vëlla tjetër të zonjës Hyseni. Ttransferta e dytë prej 450 mijë euro në fakt është anulluar për shkak se kompania në Gjermani ku do të kalonin lekët ishte e falimentuar”, tha ai.
Po ashtu, gazetari tregon se Prokuroria e Posaçme dyshon që këto shuma të mëdha mund të jenë gjeneruar nga afera e AKSHI-t dhe kanë shërbyer si ryshfet në këmbim të informacioneve dhe ndihmës ndaj Agasit.
“Sipas Prokurorisë së Posaçme ka dyshime që këto para që janë transferuar drejt Gjermanisë kanë qenë kryesisht paratë që janë derivuar nga afera në dosjen AKSHI, ku janë bërë manovra nëpërmjet kompanive të lidhura me Ergys Agasi dhe persona të tjerë të cilët kanë kanë rezultuar përgjegjës, për të kaluar si formë ryshfeti dhe korrupsioni drejt njerëzve të Vlora e Hysenit këto shuma të konsiderueshme parash në këmbim të informacioneve dhe mbështetjes që kjo e fundit i jepte Agasit të paktën gjatë arratisë që është dokumentuar, por ndoshta edhe kur ai nuk ishte person në kërkim”, tha Ferhati.
