Fundjava e fundit e korrikut ka sjellë fluksin më të madh të hyrjeve të qytetarëve nga Kosova në Shqipëri përmes Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, duke tejkaluar shifrat e fundjavave të mëparshme të qershorit dhe korrikut. Të dhënat zyrtare nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Emigracionin bëjnë të ditur se, prej datës 25 korrik 2026, ora 05:00, deri në orën 08:30 të 26 korrikut 2026, në Stacionin e Policisë Kufitare Morinë janë evidentuar 45 518 persona nga Kosova që kanë hyrë në territorin shqiptar.
Po gjatë kësaj periudhe, janë regjistruar 12 790 automjete që kanë kaluar kufirin në drejtim të Shqipërisë. Sipas autoriteteve kufitare, ky rritje e ndjeshme e lëvizjes lidhet me afrimin e muajit gusht, kur fillon zyrtarisht sezoni kryesor i pushimeve verore. Ndikim të madh në këtë trend ka edhe prania e madhe e diasporës kosovare, që tradicionalisht zgjedh bregdetin dhe destinacionet malore shqiptare për pushimet vjetore.
Pritet që Pika e Kalimit Kufitar Morinë të vazhdojë të ketë fluks të lartë edhe javët e ardhshme. Policia Kufitare mbetet në gatishmëri për t’u përballur me rritjen e numrit të udhëtarëve dhe mjeteve gjatë sezonit turistik. Për të përshpejtuar hyrjet, është në fuqi marrëveshja për kalimin pa kontrolle për automjetet me targa të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa makinat me targa të huaja i nënshtrohen procedurave të shpejtuara.
Dinamika e lëvizjeve në Morinë:
Hyrje shtetas: 45 518
Hyrje automjete: 12 790

