Më 20 nëntor, u organizua protesta e 174-të kundër qeverisë, ku qytetarë u bashkuan përpara godinës së Kryeministrisë.
Dhjetëra efektivë policie ishin vendosur në hyrje të bulevardit për të ndaluar protestuesit të qëndronin në shesh. Veprimet e tyre u mbështetën në Aktin Normativ të miratuar nga qeveria, i cili ndalon mbledhjen e qytetarëve në hapësirat publike.
Në reagim, protestuesit theksuan se ky akt është i paligjshëm.
Policia largoi pjesëmarrësit drejt trotuareve, duke tentuar të zbatojë plotësisht Aktin Normativ. Megjithatë, edhe qëndrimi në trotuare nuk u lejua, ndërsa disa persona u shoqëruan në komisariat.
Referuar Aktit Normativ të qeverisë, është e ndaluar çdo protestë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, edhe kur zhvillohet në mënyrë paqësore. Kjo masë ka nxitur kundërshtime dhe situata të tensionuara me qytetarët.
Gjatë protestës sot, u ngrit gjithashtu një banderolë ku theksohej data 28 Nëntor – dita e paralajmëruar për një protestë më të madhe – ndërsa u shfaqën edhe imazhe flamingosh, duke rikthyer simbolikën e ‘revoltës së flamingove’.
