Kryebashkiaku i Beogradit përfundon në rrezik burgimi, akuzohet se goditi me grusht këshilltaren e opozitës: Dënohet deri në 3 vite burg

Kryetari i Bashkisë së Beogradit, Aleksandar Sapiç, është akuzuar nga autoritetet gjyqësore serbe nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj një këshilltareje të opozitës, duke i shkaktuar asaj lëndime të rënda trupore.

Incidenti ndodhi më 28 shtator, në një zonë periferike të kryeqytetit serb. Sipas aktakuzës, Šapić dyshohet se ka goditur në fytyrë me grusht Tatjana Mićić. Në rast se gjykohet fajtor, ai përballet me një dënim maksimal prej tre vitesh burg.

Prokuroria njoftoi se Mićić ka marrë fraktura në hundë dhe në nofullën e sipërme, si dhe plagë në qafë e në krahun e djathtë. Ekspertiza mjekësore i cilësoi këto lëndime si dëmtime të rënda fizike.

Lëvizja opozitare “Kreni-Promeni”, e cila ka në radhët e saj Mićić, publikoi video nga momenti i ngjarjes dhe fotografi të plagëve të saj, duke akuzuar Sapiçin për sulm ndaj këshilltares dhe bashkëshortit të saj.

Gjatë dëshmisë në polici, Šapić i hodhi poshtë akuzat se kishte goditur Mićić, por pranoi se kishte patur një përplasje fizike me bashkëshortin e saj. Prokuroria sqaron se akuzat mbështeten në deklaratat e dëshmitarëve, pamjet filmike dhe raportet mjekësore.

Opozita ka kërkuar që Šapić të largohet nga posti, por ai ka refuzuar të japë dorëheqjen. Megjithëse partia SNS e Vuçiçit humbi pushtetin në nivel shtetëror pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit, ajo vazhdon të administrojë Bashkinë e Beogradit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe