Pesë vite pas kallëzimit penal të Prek Mollës për çështjen e pronave në Baks-Rrjoll të Velipojës, Gjykata ka vendosur të rikthejë çështjen në hetim, duke urdhëruar Prokurorinë e Shkodrës të kryejë veprimet e nevojshme hetimore. Avokati Ndue Pjetra ngre dyshime mbi mënyrën se si pronat e përfshira në konfliktin gjyqësor kanë përfunduar në emër të personave të tjerë, ndërkohë që procesi i pronësisë ishte ende në zhvillim.
Kallëzimi penal u depozitua në vitin 2021 nga Prek Molla, i cili pretendon se gjatë kohës që çështja e pronësisë po shqyrtohej në gjykatë, në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës janë kryer veprime që kanë sjellë ndryshimin e regjistrimit të tokave.
Sipas pretendimeve të Mollës, në këto sipërfaqe po ndërtohen aktualisht struktura hoteliere, të cilat ai i lidh me biznesmenin Bashkim Ulaj.
Me vendimin e datës 12 nëntor 2026, Gjykata ka kërkuar që Prokuroria të verifikojë dokumentacionin që ka shërbyer për regjistrimin e pronave, personat që kanë kërkuar dhe miratuar ndryshimet, si dhe nëse procedurat e ndjekura nga Kadastra kanë qenë në përputhje me ligjin.
Në fokus të hetimeve do të jetë edhe fakti nëse institucionet përgjegjëse kishin dijeni për procesin gjyqësor dhe nëse kishte vendime apo masa që pengonin ndryshimin e regjistrimit të pronësisë gjatë shqyrtimit të çështjes.
Pesë vite pas kallëzimit, Prokuroria e Shkodrës duhet të zbardhë se si është ndryshuar pronësia e këtyre parcelave, mbi bazën e cilave dokumente janë kryer regjistrimet dhe kush mban përgjegjësi për veprimet e denoncuara.
