Pas rreth 30 vitesh, banorët e lagjes Dushse në Vau-Dejës mund të përdorin një rrugë të rehabilituar dhe të shtruar. Për vite me radhë, aksi ka qenë i amortizuar dhe ka vështirësuar lëvizjen e përditshme të banorëve.
Ndërhyrja vjen pas kërkesave të vazhdueshme të komunitetit për përmirësimin e infrastrukturës në këtë zonë.
Kryetari i Bashkisë Vau-Dejës, Kristian Shkreli, e ka cilësuar investimin si një angazhim të mbajtur ndaj banorëve, duke theksuar se punimet i përgjigjen një prej nevojave të hershme të lagjes.
Rikonstruksioni pritet të ndikojë jo vetëm në qarkullimin e automjeteve, por edhe në lëvizjen e këmbësorëve. Një rëndësi të veçantë ka rruga edhe për fëmijët e zonës, të cilët e përdorin për të shkuar në shkollë.
Me përfundimin e punimeve, banorët e Dushes kanë tashmë një akses më të mirë me pjesët e tjera të zonës, ndërsa një problem i mbartur prej dekadash është zgjidhur.
Bashkia Vau-Dejës e konsideron këtë ndërhyrje si pjesë të investimeve në infrastrukturën lokale dhe të premtimeve të realizuara ndaj komunitetit.

